Bicaj: Nuk jemi në rast vdekje këtu që të mbyllim gojën, loja do gjak e zemër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2017 | 18:40

Bicaj: Nuk jemi në rast vdekje këtu që të mbyllim gojën, loja do gjak e zemër

Episodi më i veçantë i takimit të sotëm mes Flamurtarit dhe Lushnjës ka qenë ai i minutës së 24-t kur gjyqtari Myrtja ndëshkoi me të kuq Ditmar Bicajn në radhët e vlonjatëve për një ofendim që i kishte bërë. Në “SuperSport”, lojtari ka treguar se çfarë ndodhi në ato momente në fushën e lojës, duke u justifikuar se kishte qenë duke folur nëpër dhëmbë.

bicaj

Për episodin e ndëshkimit me të kuq

“Në radhë të parë u kërkoj falje të gjithë shokëve të mi të ekipit, sepse duhet të kontribuoj dhe jo t’i lë në baltë. Kam shumë vite në Superiore, me njohin gjyqtarët dhe jam një tip që nuk krijoj probleme. Jam i befasuar nga kartoni, ndoshta ishte shumë i guximshëm. Është kurajë shumë e madhe të ndëshkosh një lojtar në atë mënyrë, në atë minutë, duhet të kesh shumë guxim.

Besoj se është gabuar, janë fjalë që i kam thënë nëpër dhëmbë, po flisja dhe po kërkoja nga shokët. Në atë moment i them je arbitër dhe në asnjë vend të Europës nuk rri lojtari ashtu i shtrirë dy minuta. Një arbitër i mirë nuk e lejon këtë. Deri në minutën e 30 nuk është luajtur futboll, për mosaftësi të arbitrit. Në të tilla ndeshje duhet të jenë më me këmbë në tokë dhe më të përgjegjshëm”.

Kujt i drejtohej në fyerjet e tij

“Të jem i sinqertë nuk kisha asgjë as kundër lojtarit, as kundër tifozëve, a kundërshtarëve. Isha duke folur nëpër dhëmbë që po u thosha dy kolegëve se nuk po bënim lojë të mirë. Të gjithë nuk e morën vesh pse e dha, do ta thosha që është moseksperiencë e arbitrit. E thashë që kush më njeh, e di që nuk jam ai lloj lojtari, jam nga ata që ia bëjnë punën më të lehtë arbitrit”.

Për respektimin e rregulloreve në këtë mënyrë

“Kur je brenda lojës mundohesh të menaxhosh situata, nuk jemi në rast vdekje që të mos flasim, jemi në lojë e kjo do gjak e zemër. Të vijë edhe arbitri të japë kartonë nëse flasim, i bie të mbyllim gojën e sytë e të rrimë urtë në fushë. Por jam dakord të ndëshkohen lojtarët kur e teprojnë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"