Betohet kryebashkiaku i ri i Kavajës, Sinella zyrtarizohet në krye të Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2017 | 11:47

Betohet kryebashkiaku i ri i Kavajës, Sinella zyrtarizohet në krye të Besës

Besa zyrtarizon tra jnerin e ri. Bledar Sinella do të jetë tekniku i ri i skuadrës kavajase. Tri ditë më parë, klubi i kishte bërë ofertë teknikut për të marrë drejtimin e skuadrës dhe dje ka ardhur vendimi përfundimtar. Te Besa kanë nisur të ndryshojnë gjërat pas katër vitesh që klubi ishte në krizë. Përflitet një rikthim i ish-presidentit, Nexhat Bizhdili, në një kohë që besohet se do të krijohet një ekip që të pretendojë rikthimin në Superiore.

Sinella

KONFIRMIMI

Kryebashkiaku i ri i Kavajës, Isa Sakja, i cili është njëkohësisht edhe president i skuadrës, dje ka bërë betimin si Kryetari i ri i Bashkisë. Gjithashtu, po dje ka ardhur edhe zyrtarizimi i trajnerit të ri. Sinella ka pranuar ofertën e klubit kavajas për të drejtuar Besën në kampionatin e ardhshëm. Kryebashkiaku e ka marrë në konsideratë sugjerimin e ish-presidentit Bizhdili për të zgjedhur Sinellën në stol.

SKUADRA

Për momentin, grupi që ka Besa përbëhet kryesisht nga lojtarë vendës, por krahas tyre të gatshëm në pritje janë edhe disa lojtarë jabanxhinj. Kështu, portieri Elidon Selaci deri më sot vijon të mbetet në pritje të Besës e po ashtu edhe disa lojtarë të tjerë të rinj durrsakë. Nisur nga objektivi që Besa pritet të ketë, rikthimi në Superiore, nuk dihet se kush nga lojtarët vendës do të qëndrojë.

Burime nga ish-presidenti Bizhdili konfirmojnë se do të marrë fund mbajtja e futbollistëve kavajas vetëm se nuk kanë ku të shkojnë. Mësohet se do të qëndrojnë vetëm ata futbollistë që do të bindin dhe ata që e meritojnë të jenë pjesë e grupit e jo siç ka ndodhur deri tani vetëm e vetëm se janë kavajas.

Javën e ardhshme pritet të nisë edhe stërvitja e nga dita në ditë do të bëhen plotësimet e mërkatos. Ndërkaq, pritet që të nisin edhe seancat stërvitore. Të gjithë tifozët kavajas janë me sytë nga klubi dhe shpresojnë se do të ndërtohet një ekip cilësor që të synojë rikthimin në Superiore. Skuadra militon në Kategorinë e Parë prej katër sezonesh.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"