Beteja ndaj Partizanit, flet zv.trajneri i Egnatias: Lojën e kontrollojmë ne, luajmë pa presion ndaj të kuqve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2022 | 12:48

Beteja ndaj Partizanit, flet zv.trajneri i Egnatias: Lojën e kontrollojmë ne, luajmë pa presion ndaj të kuqve

Para sfidës së mbrëmjes së sotme në “Elbasan Arena” ndaj skuadrës së Partizanit, ka folur zëvendëstrajneri i Egnatias, Eduart Thartori. Për “Panorama Sport” ai tregon mbi gjendjen fizike të skuadrës rrogozhinase, detaje mbi lojtarët, planin që rrogozhinasit pritet të zbatojnë në fushë dhe asaj që skuadra kërkon të marrë ndaj Partizanit. Thartori tregon se Egnatia do të kërkojë të kontrollojë lojën dhe ta mbajë sa më shumë topin në këmbë për të tentuar më pas të rrezikojë portën.

egnatia

SKEMA – “Ne do të luajmë me formacionin tonë më të mirë. Stafi nuk ka pasur asnjë dilemë, si për formacionin kryesor, ashtu dhe për skemën. Luajmë larg çdo presioni të pa nevojshëm, si psikologjik, ashtu edhe nga ana sportive.

Gjatë tërë kësaj vere jemi përgatitur intensivisht për startin e këtij sezoni dhe momenti për të marrë frytet trokiti. Ne kemi një skuadër, ku janë ripërtërirë radhët me futbollistë cilësorë, të cilët kanë punuar mjaft për harmonizimin e veprimeve në grup.

Futbollistët tanë janë plotësisht në gjendje të konkurrojnë denjësisht kundrejt çdo kundërshtari që do të kemi përballë.

FORMACIONI – “Sikurse Egnatia, edhe Partizani gjatë kësaj periudhe të fundit ka bërë shumë ndryshime në përbërje. Prandaj kemi marrë masa të zotërojmë me kujdes e qetësi topin. Të luajmë shtruar, por me ide të qarta dhe pa as më të voglën ngarkesë emocionale. Formacionit i është bërë i qartë orientimi themelor që ne u kemi transmetuar prej ditësh”.

TIFOZËT – “Tek Egnatia dihet se sa rol të rëndësishëm kanë luajtur tifozët. Nëse kujtojmë sezonin e kaluar, ku mbështetja ka qenë mjaft pozitive, si në takimet në shtëpi, ashtu edhe në transferta.

Presim që e njëjta atmosferë të jetë mbizotëruese te tifozëria jonë edhe gjatë këtij kampionati të ri. Duam t’i gëzojmë e t’i kënaqim, prandaj dhe në sfidën me Partizanin, edhe pse luajmë në transfertë, uroj që ata të jenë sa më të shumtë dhe të na ndihmojnë me entuziazmin e tyre për të marrë një rezultat sa më pozitiv”, përfundoi Thartori.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"