“Besojmë ende te zona europiane”, Demiri “kërcënon” rivalët: S’dorëzohemi, gati ta mundim Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2021 | 20:30

“Besojmë ende te zona europiane”, Demiri “kërcënon” rivalët: S’dorëzohemi, gati ta mundim Tiranën

Besir Demiri kërkon që Kukësi të vijojë me një seri rezultatesh pozitive pas fitores me Kastriotin në fundjavë, duke shpresuar që edhe ndaj Tiranës të koleksionojnë tri pikët që do ta mbajnë, pse jo, në garë për një vend në Europë.

Demiri

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 26- vjeçari i mbrojtjes kuksiane duket optimist për sfidën me bardheblutë, ndonëse ata janë kampionët në fuqi. Sa i përket të ardhmes së tij në skuadrën verilindore, Demiri lë gjithçka të hapur, por e gjitha do të varet edhe se si do të përfundojë ky edicion për skuadrën e Kukësit.

Pas disa rezultateve negative radhazi, Kukësi u rikthye te fitorja. Sa e rëndësishme ishte për ju?

Normalisht, pas çdo serie rezultatesh negative atmosfera në ekip nuk është nivelin e duhur. Por, pas fitores kundër Kastriotit tani jemi më të qetë dhe më të karikuar për ndeshjen e radhës. Besoj se kjo fitore ka peshë shumë të madhe për vazhdimësinë e kampionatit.

Tani keni një përballje me Tiranën, si e prisni?

Tani fillon raundi i fundit i kampionatit dhe Tirana është ekipi kampion në fuqi. Shpresoj ta fillojmë mirë, duke marrë një rezultat pozitiv.

Sa e rëndësishme është një fitore me Tiranën edhe për vazhdimësinë?

Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet dhe në çdo sfidë mund të fitosh maksimumi tri pikë. Por, duke parë se jemi pothuajse në fund të kampionatit, rëndësia e ndeshjeve dhe pikëve rritet. Fituam bindshëm ndaj Kastriotit dhe tani shpresoj të vazhdojmë kështu në mënyrë që të kapim vazhdimësi të rezultateve pozitivë, e cila na ka munguar në dy raundet e fundit.

Çfarë nuk shkoi te Kukësi këtë sezon që skuadra doli nga objektivat?

Kanë të bëjnë shumë rrethana, duke filluar nga ndryshimi i madh i skuadrës dhe shumë rrethana të tjera.

Për çfarë luan Kukësi tani, ka më shpresa për Europën?

Natyrisht kemi për të luajtur ende nëntë ndeshje dhe nuk jemi dorëzuar. Na ka bërë mirë fitorja në ndeshjen e fundit dhe shpresoj të vazhdojmë edhe në ndeshjen e radhës me këtë ritëm.

Cila është kontrata juaj, do të vijoni me Kukësin edhe pas këtë sezoni?

Kontrata me Kukësin është e vlefshme edhe për sezonin e ardhshëm, por në qoftë se nuk arrijmë objektivat, kontrata përfundon. Gjithsesi, edhe nëse nuk arrijmë objektivat në fund të sezonit, do të ulemi me drejtuesit dhe t’i shohim si janë planet për sezonin tjetër.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"