Hasi e pranon: Do të jemi më të dobët me dy Kombëtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2014 | 14:30

Hasi e pranon: Do të jemi më të dobët me dy Kombëtare

HasiBesnik Hasi është absolutisht shqiptari i parë që drejton një skuadër ndër elitaret në futbollin europian dhe botëror si Anderlehti, ndaj gjykimi i tij duhet lexuar me lapës në dorë. Pak ditë nga rinovimi i kontratës me gjigandin belg, ishkapiteni i Kombëtares shqiptare ka dhënë një intervistë për emisionin Interaktiv, në KTV. Hasi ka prekur më së pari ekzistencën tashmë të dy ekipeve përfaqësuese (Shqipëri dhe Kosovë) që, sipas tij, na dobëson si komb në futbollin ndërkombëtar. “Jam shumë i lumtur që nuk kam nevojë të bëj zgjedhje mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kur ndahemi në dy pjesë ndoshta nuk jemi aq të fortë, dobësohemi. Është një vendim shumë i vështirë dhe unë shpresoj që çdokush të ketë mirëkuptimin për çdo vendim që do të marrin këta çuna, pasi nuk është e lehtë”, – u shpreh fillimisht Hasi.
Kombëtarja – Më tej ai ka pohuar se respekton shumë punën e trajnerit të Shqipërisë, Xhani De Biazi, duke saktësuar se Federata Shqiptare mori vendimin e duhur me vazhdimin e kontratës së tij edhe për dy vjet. “Unë kam shumë respekt për punën e De Biazit në dy vitet e fundit. Ai e ka rinovuar skuadrën, paçka se në fund ndoshta humbëm vazhdimësinë në rezultate, por them se ai ka krijuar një bazë të mirë për një ardhmëri të shkurtër. Kështu që duhet ta lëmë ta përfundojë punën e tij në dy vitet e ardhshme”, – shtoi trajneri kosovar. Duke qëndruar në këtë temë, Hasi ka folur edhe për kualifikimet e radhës për kampionatin europian, duke thënë se Shqipëria mund të jetë befasia e këtyre eliminatoreve. “Kemi një ekip solid. Në shtëpi kemi qenë gjithmonë të fortë, me publikun tonë të zjarrtë dhe të numërueshëm, por ne kemi çaluar jashtë vendit. Duhet të marrim pikë jashtë dhe mund të jetë e mundshme që të befasojmë”, – pohoi Hasi.
Armand Duka – Sakaq, ai ka prekur edhe një herë temën e refuzimit të stolit të Kombëtares shqiptare, çka iu ofrua nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fund të 2011-ës pas largimit të Josip Kuzhesë. “Kam biseduar gjatë me presidentin Duka dhe ai ka qenë shumë korrekt me mua. Ndoshta ka qenë shumë herët që unë të bëhesha trajner i Shqipërisë. Ka qenë një vendim i vështirë, të cilin e mora bashkë me presidentin e Anderlehtit. Shpresoj që rastin nuk e kam humbur përgjithmonë dhe dua që t’i shërbej vendit tim. Ndoshta do të vij edhe më i fortë”, – tha Hasi.
Kosova – I pyetur se cila do të ishte përgjigjja nëse Kosova e fton të jetë trajner, ai ka thënë se ajo do të ishte pozitive. “Edhe pse jam aktualisht në një ekip të madh dhe dua të vazhdoj gjatë me të, Kosovën nuk mund ta refuzoj. Nëse Kosova ka nevojë për mua, unë jam aty. Por, e them prapë: tani jam futur në një rrjedhë si trajner i parë i një ekipi të njohur europian. Ambicia ime e parë është që të rri sa më gjatë me Anderlehtin dhe ambiciet e mia shkojnë gjithmonë përtej. Shpresoj që në të ardhmen do të krijojmë akoma trajnerë që mund ta përfaqësojnë vendin tonë. Jo vetëm unë, por kemi edhe trajnerë të tjerë me eksperiencën dhe duhet të guxojmë t’ua japin rastin edhe atyre”, – shtoi tekniku gjakovar.
Januzaj – Në fund Besnik Hasi nuk ka lënë pa prekur edhe temën “Adnan Januzaj”, si dhe talentet e rinj që rriten aktualisht në akademinë e Anderlehtit, nga ku doli dhe talenti kosovar i Mançester Junajtid. “Sa për Januzajn, mendoj se duhet ta respektojnë vendimin e tij, pasi besoj se nuk ka qenë aspak e lehtë një gjë e tillë. Gjithsesi, ka të rinj shqiptarë që luajnë me Anderlehtin, që në të ardhmen mund të jenë pjesë e kombëtareve tona. Për shembull Andi Koshi, i cili luan me U-13 dhe është një i ri shumë i talentuar. Ka katër vite këtu. Me siguri që një ditë do të luajë edhe me ekipin e parë të Anderlehtit”, – përfundoi Besnik Hasi.

Rinovimi edhe dy vjet tek Anderlehti
Besnik Hasi ka rinovuar para tri ditësh kontratën tek Anderlehti. Ai do të jetë trajner i kësaj skuadre edhe për dy sezonet e radhës: 2014-2015 dhe 2015-2016. Hasi u emërua trajner i parë i skuadrës më të madhe belge, më 10 mars të këtij viti. Deri në atë kohë ai ishte ndihmëstrajner, por e mori drejtimin, pasi tekniku holandez Xhon van den Brom u shkarkua për shkak të rezultateve të dobëta. Hasi e mori Anderlehtin një javë para fundit të edicionit të rregullt në Belgjikë, kur skuadra renditej në vend të tretë me 54 pikë, 12 më pak se Standard Liezhi. Ai është shqiptari i parë që drejton një skuadër me kaq prestigj në arenën ndërkombëtare.

HykaBazeli në derë, Hyka pret për rinovimin
Është momenti i Jahmir Hykës. Mesfushori i Kombëtares shqiptare po shkëlqen te Luzerni në Zvicër me lojërat e zhvilluara, ndaj reflektorët kanë rënë natyrshëm mbi të. Së fundmi, mediat vendëse (sport.ch) bëjnë me dije se Hyka është vënë nën vëzhgimin e kampionëve të Bazelit. Këta të fundit kanë arritur të marrin nga FC Vinterthur mesfushorin 24-vjeçar Luka Zufi, i cili kërkohej me ngulm edhe nga trajneri i Luzernit, Karlos Berneger, por me shumë gjasa do ta japin sërish në huazim. Në këtë këndvështrim, një opsion i mundshëm në merkato shihet edhe mesfushori shqiptar, të cilit i përfundon kontrata në fund të sezonit të ardhshëm. I pyetur në konferencën e djeshme për shtyp, para ndeshjes me Sionin, Hyka nuk ka dhënë asnjë koment, duke pohuar se nuk ishte në dijeni të këtij fakti. “Për mua është e rëndësishme që të bëj mirë te Luzerni dhe të mund të arrijmë objektivin primar: pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Për t’ia arritur, duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura, duke filluar nga përballja me Sionin”, – ka thënë mesfushori kuqezi. Sipas kësaj media, tekniku i Luzernit donte ta afronte Luka Zufin që më pas të mund të shiste në një klub më të madh Hykën, duke sjellë të ardhura në arkën e klubit nga kartoni i shqiptarit. Gjithsesi, skenari që po përgatit trajneri ka gjasa që të realizohet, por vetëm nëse Luzerni do mund të marrë pjesë në Ligën e Europës, një dritare e mirë kjo për shumë futbollistë. Aktualisht skuadra e Hykës renditet në vend të 4-t (4 skuadra shkojnë në Kupat e Europës nga kampionati zviceran; dy të parat në Champions dhe dy të tjerat në Ligën e Europës), me tri pikë e larguar nga Thuni i vendit të pestë. Pesë javë nga fundi i sezonit do të mjaftonin që Luzerni ta ruante këtë pozicion për të luajtur në Europë. Në këtë këndvështrim, skuadra do duhet të bëjë mirë në përballjet ndaj Sionit, Lozanës dhe Thunit në fushën e vet, si dhe kundër Bazelit e Grasshopersit në transfertë. Kujtojmë që Jahmir Hyka kaloi në 2011-2012 te kjo skuadër (nga Tirana), me të cilën numëron më shumë se 90 ndeshje në tre sezone, duke shënuar edhe shtatë gola.

Mavraj 2Mërgim Mavraj, rinovimi në dorë të… ngjitjes
Mërgim Mavraj mbetet në qendër të vëmendjes te Grojter Fyrthi, por jo vetëm. Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare është nën “lupën” e disa klubeve në Gjermani, kryesisht në Bundesligën e dytë dhe, sipas “Morning Post”, shqiptari është duke pritur fundin e sezonit. Në rast të një ngjitjeje në Bundesligën e Parë të Grojter Fyrthit, me shumë gjasa, Mavraj do ta rinovojë kontratën e tij, e cila skadon më 30 qershor të këtij viti. Në të kundërt, ai do të largohet qoftë edhe në Bundesligën 2, por në një skuadër tjetër. Ndër më të interesuarat është St.Pauli, gjithnjë nëse Lacio nuk do vijojë të kërkojë shërbimet e shqiptarit. Drejtori sportiv, Igli Tare, nuk i ka kursyer elozhet për Mavrajn, pavarësisht se ka pohuar se Lacios s’i intereson një lojtari si ai. Mbetet për t’u verifikuar më së pari nëse Fyrthi do të ngjitet në elitë, por me shumë gjasa do të luajë “play-off” me skuadrën që do renditet në vend të 16-të në Bundesligën 1.

Gashi e Hyka, kandidatë për “Lojtari i muajit”
Shkëlzen Gashi dhe Jahmir Hyka, dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, janë përfshirë në listën e 5 kandidatëve për çmimin “Futbollisti i muajit prill” në kampionatin zviceran nga gazeta prestigjioze “Blick”. Tre rivalët e tjerë për dyshen shqiptare janë Mario Gavranoviç i Zyrihut, Gijom Fevre i Thunit dhe Xhefri Serej Die i Sionit. Gashi, i cili aktivizohet në radhët e Grasshopersit, momentalisht kryeson edhe listën e golashënuesve më të mirë të Superligës së Zvicrës, me 13 gola, dhe jo më kot ky sezon konsiderohet më i miri i karrierës së tij. Golin e fundit e shënoi fundjavën e shkuar në barazimin 1-1 në fushën e Bazelit.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"