Besnik Dizdari: Kultura e një kampionati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 4, 2022 | 17:44

Besnik Dizdari: Kultura e një kampionati

Nga BESNIK DIZDARI

1. Gjë e madhe kultura e një kampionati të futbollit!… Madje, disa kultura. Kultura e lojës. Kultura e fushës së blertë. Kultura e tribunave. Kultura e drejtimit. Pse jo, edhe kultura e publicitetit. Madje, edhe kultura e pasqyrimit të tij, sidomos në TV që ta tregon më mirë se askush tjetër. Ndonëse, mos kujtoni se në thellësinë e mendimit ia kalon fjalës së shkruar.

partizanitirana-16-433x300

Ndërkaq, kampionatit të Shqipërisë 2021- ‘22 ka do kohë që nuk ia gjen më askund emrin. Sepse, ai qenka “Abissnet Superiore”! Që qenka emërtimi i sponsorit. E dihet, emërtimi apo emri i sponsorit është i rëndësishëm.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ky emër të zhdukë vërtetësinë e emrit të kampionatit kombëtar të Shqipërisë. Kësisoj, kultura e do që, më e pakta, të kombinohen të dy emrat. Si në rastet e sa e sa shteteve të tjera…

Kampionati ynë kombëtar, që për mua është i 86-ti në histori, javën që shkoi pati një mbyllje interesante me gjithë kontradiktat e aty–këtu, edhe me shfaqje të pakulturës së tij, çuditërisht në rritje.

Ndeshjet Vllaznia – KF Kukësi, e sidomos ajo Partizani – SK Tirana, pse jo, deri diku edhe ajo Teuta – Egnatia për “sensacionin” e saj të fitores së skuadrës së Rrogozhinës në asnjanësen e Elbasanit, qenë jo pak mbresëlënëse. Një gjë është: në një numër të vogël skuadrash shqiptare bie në sy qartë një rritje e mendimit të lojës dhe ritmit të saj.

Si rrallëherë, sot në skuadrat shqiptare loja është gjithnjë e më ndërtuese e një mënyre pak a shumë moderne. Është vështirë të gjesh një lojtar shkatërrues e çndërtues.

Të gjithë duan të ndërtojnë. Të ndërtojnë një futboll të një arkitekture moderne. Të një taktike që të çon te një realizim kolektiv e harmonioz – synues për një futboll modern.

Duke mbërritur te realizimi, që dihet është shënimi i golit, vërehet se në 15 javë, kampionati nuk ka një kryeshënues, si të thuash, “race”. Kjo duket si diçka jo fort normale. Mirëpo, duke parë shënuesit parësorë, vërehet një fakt, që sikur vërteton këto që u thanë pak më sipër.

Shënuesit më të mirë janë Guindo i KF Laçit dhe Seferi i SK Tiranës me nga 8 gola. Të ndjekur me 7 gola nga Edi Baša i KF Kukësit, siç i shkruhet me zanore në theks emri i tij në kroatisht. Mandej vijnë 11 shënues të tjerë me nga 6 e 5 gola, pra me vetëm 1 apo 2 gola larg.

Kjo flet mbase për një futboll më kolektiv, më të përbashkët, më hapësinor. Dihet, kur shënimi i golave vjen prej gjithë hapësirës së skuadrës, prej të gjitha “skutave” të saj, atëherë mund të themi se ka diçka të bukur që vjen prej universales së lojës.

Dhe kjo “mungesë” e kryeshënuesit epror, nuk e ka cenuar mesataren e shënimit të golave në kampionat, ende jo joshëse, por në fund të fundit, në shifrën e përafërt të të gjitha kampionateve të dekadave të fundit: 2.38 gola për ndeshje.

Ndërkaq, sot, me sa kuptoj, për fat, nuk është si dikur që shtypi, media t’i ndjekë fort skuadrat edhe në stërvitje. E për këtë kam përshtypjen se nuk dihet mirë se si stërviten skuadrat. E them këtë përderisa nuk flitet kurrsesi se si ato stërviten.

Dihet, stërvitja është një jetë tejet më e gjatë se 90 minutat e ndeshjes. Stërvitja zakonisht jeton bukur deri në gjashtë ditë. Megjithatë, përderisa shohim ndeshje në rritje, ta do mendja se stërvitja do të jetë ngjitur në shkallë më të mira kërkese e të një dije e të një kulture më kontemporane.

Pa shkuar tek ajo tjera, te kënaqësia që të jep ndjekja apo vëzhgimi i stërvitjes së skuadrave.

Dikur edhe në Shqipërinë tonë kishte një parandeshje që mbushte stadiumet më shumë se ndeshjet e sotme të kampionatit. Ishte ajo që emërtohej si stërvitja e “së enjtes e ndeshjes me dy porta”, siç njihej.

E thotë shumë bukur autori spanjoll Jordi Punti në librin e tij fort origjinal “Messi – Leksione stili”, përkthyer në një shqipe elegante e të pastër prej shkrimtarit të mirënjohur Bashkim Shehu: “Gjatë një nxehmjeje, – shkruan Punti, – ashtu si në stërvitje, shihen gola të mrekullueshëm, që, po të bëheshin gjatë një ndeshjeje do të ishin për antologji…”.

Ky është vetë kuptimi kulturor, universal i sportit të futbollit. Duke u kthyer te vetja jonë, them se sidomos dy ndeshjet e Tiranës dhe Shkodrës patën një nivel që nuk besoj se mund të shfaqet asisoj, pa një stërvitje për së mbari të trajnerëve, në këtë rast të trajnerëve Shehu, Daja, Brdariç e Longo.

Ndeshjet Partizani – SK Tirana dhe Vllaznia – KF Kukësi patën një numër të pranueshëm spektatorësh në këtë dimër të ftohtë e në orare jo fort joshëse. Nga ana tjetër, nuk jam në gjendje të mas ritmikën fizike të skuadrave – për çka nuk di sa studiohet e ndiqet kjo në Shqipëri prej studiuesve specialistë të futbollit.

Por, besoj se biem në një mendje që në të dyja këto ndeshje ritmi nuk ndaloi deri në minutën e 90-të apo të 100-të. Zgjatje kjo që po i shkakton edhe i ashtuquajturi VAR, ende jo fort i natyrshëm apo i një niveli vërtet të përvetësuar “kulturor”. Bukur megjithatë!

Një ritmikë që krijoi deri në fund kryesime e përmbysje rezultati, kthesa dhe ulje–ngritje brenda logjikës së futbollit dëfryes. Në fund të fundit, një “ashpërsi” emotive në kufijtë e një futbolli që të duket se nuk ndal në pasurinë e 90 minutave.

Sa qenë vendimtare këto dy ndeshje, për sa i përket ecurisë së garës?
Thelloi epërsinë e sportklub Tiranës, madje në 5 pikë ndaj më të afërtit që është KF Kukësi. Madje, deri aty sa që katërshen kryesuese na duhet të mos e quajmë të tillë, të paktën tani për tani.

Kjo, ngaqë kryesuesi është vetëm një: skuadra e Tiranës. Tri të tjerat, me në krye KF Kukësin, përbëjnë një treshe ndjekëse të cilën, duam apo nuk duam, detyrohemi ta quajmë treshja e skuadrave që kërkojnë vendin e dytë.

Midis tyre disi papritmas spikat skuadra e KF Laçit – çudi më vete e gjithë këtyre javëve të fundit. Merre me mend! Qysh nga humbja 0-1 me Vllazninë më 27 nëntor, në pesë ndeshje rresht ka 4 fitore: 5-0 Dinamos, 2-1 KF Kukësit, 2-0 Egnatias, 2-0 Kastriotit dhe një barazim 0-0 me Teutën në Durrës!

Dhe në 450 minuta të tëra vetëm 1 gol i pësuar! Tash na duhet të presim vitin 2022, që është te dera, për t’u bindur më mirë për këtë Laç sfidues. Do të jenë radhazi Teuta – KF Laçi, KF Laçi – Partizani, KF Laçi – Vllaznia, pa harruar një ambicie korçare që shfaqet në enigmën e pamjes së ndeshjes Skënderbeu – KF Laçi.

Pa e zgjatur me të tjerat, ma do mendja se këto ndeshje do të jenë provat e vërteta të kësaj skuadre dhe trajnerin e saj Mirel Josa. Për hir të së vërtetës, deri para pak, skuadrës së KF Kukësit dhe asaj të Shkodrës u ishte mbushur mendja se kanë punë kryesisht me atë të Tiranës. Kuptohet, në luftë për titullin.

Mirëpo, ja që në javën 10, Kukësi ka qenë 8 pikë para skuadrës së Laçit e tash është vetëm 1 pikë! Kaq mjafton për të kuptuar se tash për tash si KF Kukësi si Vllaznia nuk kanë punë me Tiranën, por kanë punë me KF Laçin – skuadrën e qytetit të vogël, dikur i ashtuquajtur “industrial”, të cilin Shqipëria e sotme europiane e ka izoluar jo pak në hartën automobilistike kombëtare.

Ndonëse skuadra e tij reziston duke luajtur gjithnjë në stadiumin e vet, e veçuar si të ishte një republikë më vete. Kjo mbase është edhe forca parësore e tij. Dhe mbërrijmë te dy skuadrat tona “të famshme”, SK Tirana e Partizani, të cilat së bashku kanë fituar plot 44 kampionate të Shqipërisë dhe kanë qenë nënkampione bukur nja 32 herë!

Këtu dalim te kultura në fjalë.
Siç kam shkruar edhe herë të tjera, kjo, sidomos prej gazetarëve të brezit të ri, çuditërisht nuk është më ndeshja tradicionale SK Tirana – Partizani, por është “derbi”. Një imitim që ka kaluar pikërisht “logjikën e një kulture”, siç po më pëlqen të përcaktoj, çka vetvetiu të çon deri aty saqë nuk përmendet më si ndeshje SK Tirana – Partizani, por si “derbi”.

Duke harruar se Tirana ka plot tre “derbe”: derbi SK Tirana – Partizani, derbi SK Tirana – Dinamo dhe derbi Partizani – Dinamo! Kaq mjafton për ta hedhur në erë përcaktimin tej mase snobist “derbi”, që dihet, përdoret thjesht kur luajnë dy skuadra të një qyteti. Asgjë më tepër.

Kjo do të thotë se përcaktimi “derbi” assesi nuk ia shton rëndësinë, sidomos ndeshjes të së enjtes që shkoi, teksa po luanin skuadra e pestë e kampionatit (Partizani) me skuadrën e parë (SK Tirana) që më shumë se kaq kishin plot 12 pikë ndryshim.

Një ndryshim që mbas këtyre 90 minutave u ngjit në 15 pikë! Kjo epërsi e thellë e tiranasve e bën edhe më pak të rëndësishme ndeshjen Partizani – SK Tirana.

derbi

2. Qe pra, ku vërtet dolëm te kultura. Në këtë rast një kulturë që po e quaj historike, çka nuk do të thotë se e nënvleftësojmë këtë ndeshje që qe aq tërheqëse. E nënvleftësojmë thjesht si “derbi”, ngaqë kjo shpesh po na çon te spekulimi i vlerave apo te një xhelozi te skuadrat e tjera, ndeshjet e të cilave mund të kenë vlera më të mëdha se ky “derbi” e që me të padrejtë ato mund të mos marrin peshën që meritojnë të publicitetit.

Kështu, edhe në futbollin e kampionatit tonë, ashtu si në shumë fusha të tjera të jetës shqiptare, rrezikon të humbasë kultura e vlerësimit, kultura e vlerave pra, në këtë rast të një ndeshjeje. Apo, edhe të një kampionati në tërësi.

Shkojmë më tej. Është krejt e papranueshme që qysh në javën e parë të kampionatit, në median televizive, për një çast të duket se më shumë se për asgjë tjetër, të flitet, më saktë të pyetet, kështu: “Kush e fiton kampionatin?”

Kjo është një pyetje, quaje përcaktim, që cenon mû kulturën e kampionatit. Nuk mund pranohet assesi një kulturë që kërkon të të diktojë që gjëja më e rëndësishme e një kampionati futbolli qenka se kush e fiton titullin e kampionit! Kurrsesi!

Një kampionat futbolli që zgjat deri në 9 a 10 muaj synimin kryesor e ka të përhapë kulturën, si të thuash, të shtrirjes së “ylberit” shumëngjyrësh sportiv në jetën e një kombi, të ndikimit të tij përmes vlerave që ky sport ndoshta e jep tejet në krahasim me të tjerët.

Kjo do të ishte një përhapje kulturore e këtij ndikimi përmes të shtunave apo të dielave dëfryese për njerëzit, për rininë e një vendi, si një kënaqësi shpirtërore që blaton sporti ynë nobël. E, ashtu si rëndesa artificiale e përcaktimit të pandalshëm “derbi”, edhe retorika “kush e fiton kampionatin”, madje pa ndalur në asnjë javë, e ulë jo pak vetë kuptimin kulturor të vërtetë të një kampionati futbolli.

Në gjithë këto vite të fundit gjuha përcaktuese sportive mendoj se ka pësuar një ndryshim të madh. Çka, kryesisht duket se vjen prej gjuhës imituese të transmetimeve të huaja televizive, ku gazetaria e folur në Shqipëri është nënshtruar përtej asaj që ia vlen.

Besoj se më duhet të ribotoj fjalorin “joshqip” të transmetimeve televizive. Jo për të përsëritur, por për të paraqitur të aktualizuar “pasurimin” e tij të pafund prej barbarizmave gjithnjë të shtuar gjuhësorë!

E kam thënë edhe herë të tjera: po nuk pati një garë të vërtetë për të fituar të drejtën e transmetimeve të futbollit në Shqipëri, kjo kundërkulturë do ta thellojë sundimin e saj të papranueshëm, deri në një vendnumëro të palëvizshëm.

Por, le të kthehemi te “derbi” i javës që shkoi, meqë kështu po e quajnë të gjithë. Përsëris: ishte një ndeshje vërtet e bukur, e dyanshme madje, që pati gjithçka: forcën, taktikën, teknikën, golat, përmbysjen, kthesat, aksionet e studiuara, gjuajtjet, emocionet, ashpërsinë e duhur futbollistike.

Por, mëkat! Ajo u cenua pikërisht në kulturë. Kjo, ngaqë prej kohësh thirrja fort e ashpër “derbi” ka cenuar vetë kuptimin e vlerës së vërtetë të një ndeshjeje futbolli.

Kuptim apo kundërkulturë që ngushtohet në idenë “e fitores me çdo kusht”, një sjellje pasionante më shumë se ç’duhet që të çoka te thyerja e ndenjëseve të tribunave të një stadiumi modern, te hedhja e tyre në fushë, te thirrjet që nuk kanë asgjë të përbashkët me kulturën e një ndeshjeje sportive.

Vërej tribunat dhe më bën përshtypje një dukuri: kryesisht shoh vetëm të rinj. Gati nuk shoh as moshat e mesme e nuk shoh kurrsesi as moshën e shtyrë. E pra, dikur në tribunat e stadiumeve shqiptare, i kemi parë së bashku të tria moshat. Asokohe kjo krijonte njbaraspeshë kulturore të kuptimit të vlerave të futbollit.

Dhe përveç të tjerave, edhe një bashkim të natyrshëm kujtese, shijeje e ngjarjesh të së djeshmes me të tashmen, duke i shkrirë si në një simbiozë sa “biologjike”, nëse mund të përcaktoja kështu, po më fort se asgjë në një bashkim historie, kujtese pra, që vetvetiu të çon tek edukimi kulturor i një brezi më të ri.

Qofsha i gabuar, por me “guerrils” e me “fanatiks” – imitime këto po artificiale e të një tradite joshqiptare, që nuk kanë ekzistuar kurrë më parë në kampionatin e Shqipërisë – vështirë se mund të mbërrijmë te një kuptim kulturor modern, edhe as në një lloj origjinaliteti, për vlerat në kërkim e sipër të kampionatit të sotëm të Shqipërisë. Çudi e madhe vërtet: gjithnjë e më pak po dëgjojmë thirrjet “Tirana! Tirana” apo “Partizani! Partizani!”

Kjo ka qenë tradita. E kjo nuk do të thotë se edhe në mbështetjen e skuadrës të mos ketë risi. Sepse, dihet, jetojmë në kohë të tjera. Por, po aq dihet se ndërthurja e traditës me risinë është përmbajtja më e thellë e një kulture sa humane po aq dhe etike që kërkon marrëdhënia publik–skuadër.

Ndenjëse që përplasen në fushën e lojës; sende të tjera të hedhura; tymnajë që ndërpret ndeshjen për plot 11 minuta për shkak të lëndës plasëse që hidhet në fushë; një “morr” në dorë; polemika në tunel; shfryrje po këtu ndaj gjyqtarit; debat me anësorin gjatë ndeshjes nga stoli; deri sende nga tribunat ndaj lojtarit që po largohet me barelë;

tifozë që derdhen në fushë mbas mbarimit; “kundërshtarët” nga pala tjetër në tribuna që vjellin vrer e hyjnë në fushë edhe ata; dhe që godasin njëri-tjetrin deri me copat e thyera të ndenjëseve të tribunave; policia që ndalon tifozë; dhe pamja përfundimtare e një “natyre mortje” të fushës së mbushur me copëra të thyerjeve.

Siç i përshkruan të gjitha këto gazeta “Panorama Sport” në rubrikën e saj me vlerë të “tregimeve” të jashtëlojës. Sigurisht, e gjitha kjo është thjesht një kundërkulturë që nuk ka të bëjë aspak me vlerat e bukura të futbollit.

E, kështu koha kalon me të tjera. Kalon me ato që nuk duhet të kalojë. Mirëpo, ja që prapëseprapë, për te kampionati e vlerat e tij, ajo që na thërret është kultura e vërtetë.

Dhe u rikthehemi “kapriçove” të bukura të renditjes e cila na tregon, siç u tha më sipër, se SK Tirana është 5 pikë larg dhe se KF Laçi i ndërhyn KF Kukësit e Vllaznisë, e mandej katërshja apo treshja që ka lënë mbrapa deri në 10, 9 e 8 pikë emra të shquar të tillë si Partizani e Teuta. Madje, në 13, 12 e 10 pikë të tillë të tjerë si Skënderbeu e Dinamo.

Dhe me kundërkulturën organizative që kërkon të përjashtojë jo 2 por 3 skuadra për në Kategorinë e Dytë. Si askush tjetër në Europë të një kampionati me vetëm 10 skuadra!

Dhe me copëzimin e pafryt të pesë ndeshjeve deri në tri ditë, pa harruar orën absurde të mesditës 13:30. E pra, çfarë kampionati kemi? Le të bëhem i mërzitshëm, për ata që nuk duan të kuptojnë.

Kemi një kampionat pa Vlorë e Elbasan, pa Kavajë e Gjirokastër, pa Berat e Lushnjë, pa Fier e… Në këtë situatë, po të isha i ri e të kandidoja për detyrën e kryetarit (presidentit) të FSHF-së e të zgjidhesha, puna e parë që do të kërkoja të realizoja do të ishte lufta për të themeluar Ligën Kombëtare të Futbollit, atë të vërtetën, jo të rrêjshmen; e kështu, do t’u jepja skuadrave pavarësinë prej tutelës së papranueshme të FSHF-së.

Prej këtu të mbërrinim deri në imtësi të tilla, që kampionati të lirohet edhe prej diktaturës së kryeqytetit përmes tri skuadrave të tij nga 10 që janë.

Por, edhe me çrrënjosjen e drejtimit të ndeshjeve me gjyqtarë, delegatë e vëzhgues, deri dhe me “VARISTA” për çdo javë thuajse 70 për qind po nga Tirana, çka kuptohet se kjo bën që kultura e drejtimit të futbollit të jetë thjesht e markës kryeqytetase, duke penguar keqas përhapjen e kësaj kulture të drejtimit të futbollit, në morinë e qyteteve, rretheve apo prefekturave të Shqipërisë.

Mandej do të kërkoja organizimin qysh për sezonin 2022-‘23 të një kampionati kombëtar të Shqipërisë (jo të “Shqipërisë së Mesme” siç është sot) me 16 skuadra brenda të cilit do të mund të ishin Vlora e Elbasani, Kavaja e Gjirokastra, Berati, Lushnja apo Fieri. Edhe përmes këtij zgjerimi do të niste fuqizimi kulturor i kampionatit.

Do të synoja (në të vërtetë, do të synonim) fort që kjo kulturë të shpalosej sa më shpirtërore, po aq sa e një estetike dhe e një gëzimi e kënaqësie genuine që ky sport i milionave mëkon.

Mandej do të luftoja për të vendosur që në skuadrat shqiptare të mos ketë më shumë se 4 lojtarë të huaj (sidomos të tillë të nivelit mesatar që vijnë në Shqipëri) dhe në federimin e 25- shes apo 30-shes të lojtarëve të çdo skuadre, 10 lojtarë të ishin prodhim i farishteve (që me pompozitet i quajnë akademi).

E plot të tjera, por këto po mendoj se janë më urgjentet.

Kampionati kombëtar i futbollit të Shqipërisë rrezikon të humbë universalizmin e kulturës së sotme të këtij sporti, hijeshinë humane që rrjedh prej kësaj kulture, vlerat e një shpirti të vërtetë olimpik të tij.

Ka shkruar një gazetar e shkrimtar i madh i futbollit, Gianni Brera: “…Topi i futbollit është magjik, sepse kërcen, rrokulliset, fluturon, përshkruan figura gjeometrike fillestare në ajër, pothuajse gjithmonë shëmbëlltyra, por shpesh edhe të drejtpërdrejta, që kryqëzohen me njëra-tjetrën simbas llojllojshmërisë së lojës ose më saktë, të modeleve të saj.

Mû për këtë shfaqja e magjisë është hiperbolike, por aspak e papranueshme.

Në fund të fundit, loja nëse ekzekutohet mirë, kjo do të thotë se ajo frymëzohet nga harmonia e botëve. Dhe është kjo që u jep kënaqësi të drejtpërdrejtë atyre që dinë ta realizojnë, duke rritur gjithnjë e më fort pikërisht imagjinatën…”.

Mos ndoshta ky është një kuptim tepër i thellë i harmonisë së vlerave të sportit të futbollit?
Ndoshta. Por për ne, në stadin ku ndodhemi, më i rëndësishmi më duket se është meditimi që mund të lindë për të mësuar saktë se deri ku kultura e kampionatit të Shqipërisë është e harmonizuar me këto ide, mendime e probleme që u përpoqëm të trajtojmë në këtë shkrim…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"