Besim “të verbër” te grupi i lojtarëve, Abazaj: Shohim vetëm punën tonë dhe shpresojmë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2020 | 12:37

Besim “të verbër” te grupi i lojtarëve, Abazaj: Shohim vetëm punën tonë dhe shpresojmë…

Pogradeci humbi vendin e parë në Grupin B pas barazimit me Shënkollin, ku drejtuesit e ekipit liqenor patën shumë rezerva për gjykimin dhe terrenin e fushës. Por, ajo ndeshje është arkivuar dhe sot ekipi i trajnerit Abazaj pret në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” Elbasanin e vendit të fundit. Mesfushori Shkullaku ka pasur një dëmtim dhe sot nuk është i gatshëm, ndërkohë që në dyshim është edhe mesfushori tjetër, Liçkollari. 

Ardian Abazaj

Megjithatë, trajneri Abazaj beson shumë te grupi që stërvit dhe te futbolli që të besuarit e tij interpretojnë në fushë. “Jemi në një gjendje të mirë para ndeshjes me Elbasanin, pavarësisht se ndonjë lojtar ka pasur ndonjë shqetësim kohët e fundit. Ne asnjëherë nuk jemi ankuar për mungesat, sepse kemi një grup futbollistësh që di të luajë mirë futboll. Do ta përsëris atë që kam thënë gjithmonë, të ketë vetëm drejtësi dhe le të fitojë ekipi më i mirë. Kemi qenë për shumë javë në vend të parë me plot meritë, e kemi fituar gjithçka me djersë dhe me atë që paraqesim në fushë. Përderisa kemi një ekip të mirë, me kualitet dhe serioz në fushë, pse të mos pretendojmë më të mirën?”

“Mund të kishim bërë ndonjë afrim, por besojmë te grup që kemi, te harmonia e tij. Po, është e drejtë që nëse kemi më shumë alternativa, më mirë është, por ne do t’i gjejmë zgjidhjet me grupin që kemi. Nënvlerësim ndaj Elbasanit? Jo, aspak, e di çfarë ekipi kam. Edhe kur kemi barazuar me Shënkollin në Pogradec, nuk ishte nënvlerësim, por topi nuk donte të hynte në atë ndeshje. Ne mendojmë që të bëjmë jë ndeshje të mirë dhe të fitojmë, pa e pasur aspak mendjen te ndeshja e Lushnjës apo Apolonisë. Shohim vetëm punën tonë dhe shpresojmë që të marrim frytet e saj në fund”, ka thënë për “Panorama Sport” trajneri pogradecar, Abazaj.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"