“Besëlidhjen e drejtojnë njerëz të paaftë”, ish-mbrojtësi Smajli: Në krye, njerëz që nuk e dinë ç’është futbolli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2019 | 21:42

“Besëlidhjen e drejtojnë njerëz të paaftë”, ish-mbrojtësi Smajli: Në krye, njerëz që nuk e dinë ç’është futbolli

Besëlidhja e traditës, e Salvador Kaçajt, Bledar Kolës dhe shumë emrave të tjerë ka krijuar një vakuum 12-vjeçar në elitën e futbollit shqiptar. Mungesë shumë e gjatë për lezhjanët në Superiore dhe arsyet janë nga më të ndryshmet.

smajli

I rendit ato në intervistën e mëposhtme për “Panorama Sport” Dritan Smajli, një nga lojtarët e fundit me kualitet të dalë nga shkolla lezhjane, aktualisht trajner moshash. Përveç Besëlidhjes, ai flet edhe për Vllazninë, Tiranën dhe futbollin shqiptar në tërësi.

Me çfarë merret aktualisht Dritan Smajli?

Aktualisht kam marrë ekipin U-19 të Shënkollit në Kategorinë Superiore dhe shpresoj të bëj mirë, ashtu siç bëra sezonin e kaluar me ekipin U-17.

A e keni ndjekur nga afër Besëlidhjen sezonin e fundit?

Të them të drejtën, nuk e kam ndjekur dhe nuk mund të them gjë, pasi situata aktuale ka ftohur çdo lezhjan.

dritan smajli

Pse po vuan kaq shumë ky ekip me traditë për t’u kthyer në elitën e futbollit shqiptar?

E kam thënë dhe stërthënë që te ky klub nuk dinë të menaxhojnë. Ka një president korrekt nga ana financiare, por kaq. Gjë tjetër aty nuk funksionon. Janë njerëz të paaftë, sepse të drejtosh një klub me emër dhe traditë, si Besëlidhja, të paktën duhet të ketë njerëz që e dinë çfarë është futbolli dhe si funksionon ky sport kaq i dashur.

Aktualisht ka marrë Elvis Plorin në stol dhe një mbrojtës me shumë përvojë si Sheta. Çfarë mund të bëjë sezonin e ardhshëm?

E vërtetë që ka marrë një trajner të zotin si Plori, të cilit i uroj shumë suksese, gjithashtu dhe Shetës, që e kam shumë mik, por të mos harrojmë që Besëlidhja ka 12 vite që është në inferiore; të mos harrojmë që ka pasur trajnerë dhe lojtarë shumë të zotë, të paktën 5 vitet e fundit, dhe përsëri nuk ia ka dalë pikërisht nga padija se si funksionon një klub. Njerëzit e paaftë mbeten të tillë. Presidenti merret me anën financiare, kurse për të tjerat duhet të jenë njerëzit e duhur.

Smajli

Vllaznia është skuadra që shënon kulmin e karrierës suaj. E keni ndjekur?

Pse është katandisur në këtë pikë, sipas jush? Sinqerisht, për Vllazninë më vjen keq, sepse kam vitet më të bukura të karrierës sime, plot 5 vjet. U bënë gabime të jashtëzakonshme qëkur u largua presidenti Valter Fushaj. Ishte i vetmi njeri që dinte të bënte mirë për këtë klub, që tek akademia dhe te drejtuesit që ai vendoste. Sot Vllaznia është në pikë të hallit dhe nuk e di a do të licencohet. Ka shumë borxhe dhe lojtarë shumë të mirë po ikin, bëhet fjalë për lojtarë të akademisë dhe imagjinoni në çfarë situate jemi, kur nuk pranon një lojtar i akademisë të luajë për Vllazninë. Kur unë firmosa në atë kohë për Vllazninë, isha njeriu më i lumtur në botë, kurse sot është e kundërta.

Tirana është një tjetër skuadër juaja, që, ashtu si Vllaznia, ka rënë në Kategorinë e Parë dhe ka vështirësi të mëdha. Pse ndodh kjo? Çfarë duhet të bëjnë?

Për Tiranën jam shprehur se ka probleme shumë të mëdha me financat. Për sa kohë të jetë ky problem, Tirana kështu do të jetë, do të luajë kampionatin, por në Europë ta harrojë se shkon, sepse nuk të lë kush me kaq shumë probleme. Kur e thashë në një televizion para tre muajsh, nuk e besoi kush, por të gjitha dolën të vërteta, jo vetëm për Tiranën, por edhe për Skënderbeun, Flamurtarin dhe Luftëtarin.

Smajli vs Tirana

Nëse në të ardhmen do të ishit trajner, cilën skuadër do të donit të drejtonit, Besëlidhjen, Vllazninë apo Tiranën?

Sot jam trajner dhe po bëj dy vite që drejtoj ekipin U17 të Shënkollit në Kategorinë Superiore, ku arrita edhe finalen e kampionatit kundër Tiranës. Humbëm me një episod mjaft të diskutueshëm. Po punoj me pasion, me dëshirë. Është një punë mjaft e vështirë, por me karakterin që kam, besoj se do t’ia dal. Pa diskutim që do të më pëlqente të drejtoja secilën nga këto tri skuadra, por Vllaznia mbetet e para. Një ëndërr që e pata për të veshur fanellën e Vllaznisë si futbollist, e realizova. E mbajta me nder atë fanellë dhe Shkodra është dhe mbetet shtëpia ime. E kam ëndërr të jem edhe trajner i kësaj skuadre dhe të jeni të sigurt që në një të ardhme të afërt do ta realizoj, sepse besoj shumë tek aftësitë e mia, nuk u trembem sfidave.

Skuadrat shqiptare dështuan në Europë. Pse ky nivel kaq i dobët?

Më i zhgënjyer, të them të drejtën, kam mbetur nga Kukësi dhe mendoj se ka shumë të drejtë presidenti Safet Gjici. Të marrë një lojtar 7, 8 apo 9 mijë euro në muaj dhe të mos bëjë asnjë lloj diference, kjo është mungesë profesionalizmi nga drejtuesit që bëjnë blerje të tilla dhe normalisht do të dështosh. Laçi bëri mirë, mendoj, edhe pse u eliminua. Kishte përballë një kundërshtar shumë të fortë. Partizani ishte afër një mrekullie, të paktën në fushën e vet, ku po të fitonte, jam i sigurt se do ta kalonte turin.

Në përgjithësi ka bërë mirë dhe mbetet për t’u parë tani në Ligën e Europës. Teuta ishte një zhgënjim i madh, duke parë kundërshtarin e saj. Kemi një kampionat të dobët, sepse kemi gjysmën e skuadrave të Superligës që janë në fije të perit, të licencohen apo jo. Që në këtë moment nuk ka garë. Moshat janë harruar dhe sulen të gjithë nga Afrika, Nigeria apo ku po di unë, dhe në fund prapë dështim. Çfarë satisfaksioni po u japim ne akademive, lojtarëve të rinj? Absolutisht asgjë. Presidentet duhet të kthejnë kurs, të bëjnë si Laçi këto kohët e fundit dhe duhet marrë shembull. Lojtarë të rinj, me energji dhe jo shumë të paguar. Dhe funksionon.

FATJON RUPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"