Besëlidhja vendos për trajnerin e sezonit të ardhshëm: Do ndërtoj skuadër “bio”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2021 | 9:36

Besëlidhja vendos për trajnerin e sezonit të ardhshëm: Do ndërtoj skuadër “bio”

Nuk ka më dilema, Besëlidhja vendos për trajnerin. Kishte paqartësi për të ardhmen e Alban Brukës, por jo më. Pas tri seancash bisedimesh, Gjok Noka është bindur dhe e ka konfirmuar në stol. Ai ka menduar që t’i besojë lezhjanit edhe për sezonin 2021-2022. Lajmin e ka bërë të ditur vetë tekniku, gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”.

alban bruka

MERKATO

Alban Bruka zbulon se ka nisur punën për ndërtimin e ekipit. Plani i tij është i qartë: të ndërtojë një ekip “bio”. “Pas dy-tri raundesh bisedimesh, presidenti Gjok Noka ma ngarkoi mua ndërtimin e Besëlidhjes për sezonin e ri futbollistik. Që tani kam nisur punën, pasi dua që kur të grumbullohemi, të jemi të kompletuar dhe mos kemi asnjë pengesë për zhvillimin e fazës përgatitore.

Duke parë ecurinë që kemi pasur ndër vite dhe duke studiuar gjeografinë e merkatos, kam menduar që boshtin ta ndërtoj me lezhjanë, kryesisht të formuar në zinxhirin e moshave të Besëlidhjes. Shkurt, kemi vendosur që të ndërtojmë një ekip ‘bio’, me produkt kualitativ lezhjan. Objektivi ynë mbetet ngjitja në Kategorinë Superiore, ndaj po punojmë me përgjegjësi për përzgjedhjen e futbollistëve që me të vërtetë vlejnë për realizimin e këtij misioni. Pavarësisht se jemi të vendosur që të bazohemi tek elementi vendës, kjo nuk do të thotë se do të heqim përfundimisht dorë nga të huajt”, u shpreh fillimisht tekniku.

PRETENDIMET

Pretendimet nuk do të ndryshojnë, ndërsa do të tentohet rikthimi në Kategorinë Superiore pas 14 edicionesh mungesë. Misioni do të jetë edhe më i vështirë me “zhdukjen” e grupeve, megjithatë 41-vjeçari është i bindur se do t’i kalojnë që të gjitha pengesat dhe do të ngjiten. “Sezoni i ri do të jetë tërësisht ndryshe. Kategoria e Parë është shkrirë në një grup dhe konkurrenca do të jetë shumë e ashpër. Të gjitha klubet e Shqipërisë që do të luftojnë për dy vende në elitë dhe ne do të bëjmë çmos që njëra nga ato të jemi ne”, përfundoi numri një i pankinës lezhjane, që e mori drejtimin e ekipit gjatë fazës së tretë.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"