BESËLIDHJA/ Të dashuruar pas Lezhës, serbët: Nuk u menduam gjatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2022 | 20:46

BESËLIDHJA/ Të dashuruar pas Lezhës, serbët: Nuk u menduam gjatë

Besëlidhja e ka nisur me kohë merkaton. Pa u mbyllur viti 2021, në Lezhë zbarkuan afrimet e para. Bëhet fjalë për serbët Zharko Iliç dhe Milutin Cimesha, të cilët vijnë si përforcime për mesfushën dhe mbrojtjen. Asnjëri nuk ka firmosur dhe janë ende në provë, por sinjalet e para janë pozitive.

beselidhja

E megjithatë, nuk duket se do të jenë të vetmit. Pas datës 7 pritet edhe një tjetër bashkëkombës i tyre (emri i të cilit mbahet ende “mister”). Lezhjanët nuk duan që të diskutojnë mbijetesën, ndaj edhe presidenti Gjok Noka nuk po kursehet. Ai kërkon tjetër paraqitje për fazën e dytë, ndaj edhe po pasuron organikën në të gjitha repartet që kanë shfaqur dobësi. Sllavët e kanë gjetur direkt veten në qytet dhe këtë e pohojnë për “Panorama Sport”.

ILIÇ – Zharko Iliç është gati që të veshë fanellën e Besëlidhjes. Është përshtatur me ambientin e njerëzit gjatë kësaj jave dhe shpreson që gjithçka të mbyllet me kontratë. “Prej rreth një jave jemi këtu në Lezhë dhe po e kalojmë shumë bukur.

Patëm fatin që të kalonim festën e ndërrimit të viteve në këtë qytet të mrekullueshëm. Gjithçka na pëlqen këtu, duke nisur nga njerëzit e çdo gjë. Jam i lumtur që kolegët e ekipit na pranuan në shoqërinë e tyre shumë shpejt.

Kjo do të na ndihmojë shumë që të përshtatemi edhe në ecurinë tonë. Dua që t’i përshëndes të gjithë, por në veçanti presidentin Gjok Noka për mbështetjen e pakursyer dhe kapitenin Patrik Fetaj që po na mbështet shumë. Ne jemi të vendosur që të bëhemi pjesë e Besëlidhjes.

Mezi po presim mbylljen e modaliteteve për të hedhur firmën në kontratë. Shpresoj shumë se forma ime do ta bindë stafin teknik, që t’i bashkohem zyrtarisht këtij ekipi me emër si Besëlidhja”, u shpreh mesfushori 26-vjeçar.

CIMESHA – Milutin Cimesha nuk e ka menduar gjatë që të marrë rrugën drejt Shqipërisë. Kur dihet që në Lezhë kanë luajtur një mori serbësh, kaq i ka mjaftuar që të thotë “po”. E megjithatë, fjala e fundit tashmë i takon Alban Brukës dhe këtë mbrojtësi e di fare mirë. “Sapo mora njoftimin nga menaxheri im se do të vija në Shqipëri, nuk pata kundërshtime. Thashë direkt ‘po’. Kisha dëgjuar fjalë të mira nga futbollistë serb që kishin luajtur këtu dhe kaq më mjaftoi.

Kisha pak njohuri edhe për Lezhën e Besëlidhjen. Jam i lumtur që këtu gjeta ngrohtësi nga presidenti. Kolegët na pranuan menjëherë në shoqërinë e tyre dhe kjo për mua është shumë e rëndësishme, pasi jam në fillimet e mia si futbollist profesionist.

Tani jam i gatshëm që të firmos kontratën, sapo të mbyllen modalitetet. Kam besim se do ta bind stafin teknik për të qenë një titullar i Besëlidhjes”, përfundoi mbrojtësi i datëlindjes 2000.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"