Besëlidhja shans për të kapur zonën “play off” nga Puka, Bruka: S’ka më energji negative, shohim… lart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2022 | 11:29

Besëlidhja shans për të kapur zonën “play off” nga Puka, Bruka: S’ka më energji negative, shohim… lart

Besëlidhja udhëton drejt Pukës vetëm për fitore, në një ndeshje që mund të quhet vendimtare për ta, pasi kërkojnë të kapin vendin e gjashtë që i siguron pjesëmarrjen në zonën “play off”. Trajneri Alban Bruka, në prononcimin për “Panorama Sport”, u shfaq optimist.

BRUKA BESELIDHJA

“Tani kampionati është në stinën e nxehtë, ndaj edhe ne duhet që ta vlerësojmë situatën maksimalisht. Pasi kaluam një fazë të tërë nën presionin e pikëve, që na gozhdoi në vijën fatale mes rënies dhe mbijetesës, ka 5 javë që kemi nisur rrugëtimin drejt zonës ‘play off’, pasi jemi shkarkuar tërësisht nga energjitë negative.

Kemi ndërruar destinacionin tashmë dhe luftojmë që të mos e parkojmë autobusin në territorin e Kategorisë Parë.

Të premten mbyllëm një javë stërvitore mjaft të suksesshme dhe tani kam në dispozicion një ekip të karikuar dhe pothuajse të plotë.

Të gjithë futbollistët janë të motivuar për të mos u kthyer nga Puka pa tri pikë. Kam besim se ekipi do të japë maksimumin dhe kjo do të na shpërblehet me fitore. Transferta ndaj Tërbunit është starti që na ngjit lart”, ka thënë trajneri lezhjan.

FETAJ – Kapiteni i Besëlidhjes, Patrik Fetaj, është i bindur se skuadra lezhjane do të shkëlqejë sot në Pukë.

“Ndonëse Tërbuni është një ekip shumë i mirë, ne e kemi potencialin për t’u përballur denjësisht në Pukë. Ndryshe nga historia, këtë sezon Besëlidhja ka ndërruar plotësisht pamjen, duke u riformatuar plotësisht.

Pavarësisht se startin dhe gjysmën e rrugës e përshkuam me shpejtësi nën normalen, tani e kemi kapur kohën dhe po udhëtojmë të sigurt.

Avancimi me 13 pikë në 5 javët e fundit, na ka shkarkuar nga të gjitha energjitë negative dhe tani jemi të gatshëm për çdo sfidë”, u shpreh 24-vjeçari.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"