Besëlidhja nuk u ndahet serbëve, mbrojtësi e mesfushori zbarkojnë në Lezhë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2022 | 11:29


Besëlidhja nuk u ndahet serbëve, mbrojtësi e mesfushori zbarkojnë në Lezhë

Besëlidhja nuk u ndahet serbëve. Në fund të dhjetorit ikën tre, por dy të tjerë kanë ardhur. Bëhet fjalë për mbrojtësin Milutin Cimesha dhe mesfushorin Zharko Iliç, të cilët janë vënë zyrtarisht nën urdhrat e stafit teknik.

Beselidhja goli

Ata do të vëzhgohen për disa ditë dhe më pas do të firmosin kontratë. E megjithatë, një tjetër bashkëkombës i tyre pritet. Pas datës 7 janar do të vijë edhe një mbrojtës.

Nuk janë lëvizjet e vetme në këtë merkato janari. Pas një mungese të gjatë për arsye familjare, është rikthyer në bazë mesfushori Ded Bushi. Nuk është i vetmi, pasi pjesë e organikës është bërë edhe Gabriel Çepele. Sulmuesi 21-vjeçar është stërvitur me skuadrën gjatë gjithë fazës së parë, por tani do të federohet.

Besëlidhja u grumbullua dje për të nisur minifazën. Para se të niste puna, folën trajneri Alban Bruka dhe presidenti Gjok Noka.

I pari, veç urimeve të rastit, bëri edhe “presion” për formacionin: “U mbyll si u mbyll faza e parë, tek e dyta toleranca është ‘zero’. Nuk dua që të mbetemi me makthet e mbijetesës, por të jemi kërcënues për ekipet e kreut. Formacionin bazë nuk e bëj unë, por ju. Ai që e meriton, do të jetë titullar.

Ky titull nuk është definitiv, pasi çdo ndeshje do të konsiderohet si një provë për gjithsecilin”. Edhe kreu i klubit ishte i qartë në kërkesat e tij dhe fokusi është vetëm te ngjitja në renditje.

“Faza e parë të harrohet. Ajo ishte nga më të dobëtat nën presidencën time, ndaj tani e tutje nuk ka tolerime. Dua që shumë shpejt të dalim nga zona e ftohtë. Diferenca me vendin e katërt nuk është vrastare. Me punë në stërvitje e grintë në ndeshjet zyrtare, gjithçka mund të arrihet”, përfundoi Noka.

SER

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL