Besëlidhja nuk i ndal stërvitjet, mesfushori Ded Bushi: Garë e egër, por… shkëputemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2020 | 14:29

Besëlidhja nuk i ndal stërvitjet, mesfushori Ded Bushi: Garë e egër, por… shkëputemi

Besëlidhja ka marrë “pushimet”, por stërvitjet nuk po i ndal. Skuadra do të rikthehet në fushë vetëm më 28 nëntor për javën e 4-t, megjithatë Sinan Bardhi po i shtrydh lojtarët. As që mendohet ndalesa ndaj Burrelit, ndaj edhe stafi teknik po punon për të perfeksionuar çdo repart.

Bushi-Laci

Mesfushori Ded Bushi mendon se skuadra është në rrugën e duhur dhe për “Panorama Sport” paralajmëron se kështu do të vazhdojë gjatë. “Besëlidhja ndodhet në krye të Grupit A, pozicion që do të luftojmë për ta mbajtur deri në fund të kampionatit. Objektivi ynë është ngjitja dhe me diferencë të dukshme pikësh, pasi vetëm kështu do të mundohet realizimi i ëndrrës 12-vjeçare.

Duke parë formën e shkëlqyer që gëzon ekipi, si dhe performancën e futbollistëve në stërvitje, jam i bindur se do ta realizojmë objektivin. Në të Parën, konkurrenca është shumë e egër, pasi të gjithë vrapojnë drejt kreut. Disa ekipe kërkojnë të ngjiten lart e të tjera për të siguruar që herët mbijetesën. Pavarësisht formës apo rezultateve të fillimit, në çdo takim ka nevojë për përmirësime, pasi ndryshon stili i lojës sipas skuadrave. Ne i kemi vlerësuar maksimalisht seancat stërvitore, pasi vetëm kështu mund të ecim të sigurt përpara”, përfundoi laçiani i Besëlidhjes.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"