“Besëlidhja nuk dorëzohet kurrë”, sulmuesi Hoxha llogarit 6 pikë në 2 ndeshjet e ardhshme: Kthehemi në katërshe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2021 | 21:26

“Besëlidhja nuk dorëzohet kurrë”, sulmuesi Hoxha llogarit 6 pikë në 2 ndeshjet e ardhshme: Kthehemi në katërshe

Besëlidhja vijon stërvitjen në kuadër të javës së 17-të, e cila e çon në Orikum. Fitorja me përmbysje ndaj Dinamos ka ngjallur shpresat për të kapur zonën “play off”, ndaj lezhjanët as që e mendojnë blofin. Edmond Hoxha mendon se skuadra do të bëjë detyrën në këtë transfertë, për të mos diskutuar objektivin minimal.

hOXHA

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi kavajas shprehet se nga 180 minutat e fundit të kësaj faze i bëjnë llogaritë me 6 pikë të plota. E megjithatë, ai kujton se duhet pasur kujdes.

“Fitorja me përmbysje ndaj Dinamos tregoi se Besëlidhja nuk heq dorë lehtë nga objektivat. Pavarësisht rezultateve zhgënjyese që patëm javët e fundit, ne jemi ende këtu dhe nuk do të heqim dorë. Gjatë gjithë javës stërvitore kishim punuar me përkushtim për të eliminuar sa më shumë të metat dhe dobësitë që na ulën në zonën e rrezikut.

Ndonëse u ndëshkuam shumë shpejt nga dinamovitët, ne nuk u dorëzuam, por arritëm që fraksionin e parë ta mbyllnim në barazim dhe të dytin, kur edhe pësuam dy gola, ta përmbysnim rezultatin. Kështu, në frymën e fundit siguruam fitoren, e cila na rihapi edhe një herë rrugën për në vallen e pretendenteve.

Tani të gjitha bateritë po i karikojmë për transfertën e radhës ndaj Orikut. Në fushë do të hyjmë vetëm për fitore. Sa për penalltinë që realizova, jam shumë i lumtur, pasi nuk e shpërdorova besimin që më dhanë. Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua, pasi nga ai çast Besëlidhja projektoi fitoren.

Shpresoj se në të dyja ndeshjet e mbetura të kësaj faze, ne do të marrim maksimumin e pikëve dhe do të isha shumë i lumtur që të jem unë protagonist i këtyre fitoreve. Nga mungesa e gjatë në arenën e blertë jam shumë i etur për gola”, tha sulmuesi kavajas i Besëlidhjes, që e shndërroi në gol atë penallti kundër kryeqytetasve.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"