Besëlidhja, një vlonjat e karikon para Erzenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 20:24

Besëlidhja, një vlonjat e karikon para Erzenit

Në fundjavë Besëlidhja do të udhëtojë drejt Shijakut për t’u ndeshur me Erzenin për llogari të javës së 9-të të kampionatit. Java e fundit e fazës së parë vë përballë skuadrat e katërshes së parë të Grupit A, pasi edhe Kastrioti me Korabin përplasen mes tyre.

beselidhja

Pavarësisht rezultateve që do të prodhojë kjo javë, janë këto skuadrat që do të luftojnë për Superioren deri në fund. Besëlidhjes në Shijak i duhet patjetër fitorja. Po t’u hedhim një vështrim statistikave të këtyre pesë sezoneve të fundit, ato flasin në favor të lezhjanëve, si në shtëpi, ashtu edhe në transfertë, por kjo nuk mjafton për ta fituar ndeshjen. Mbrojtësi vlonjat, Igli Moqi, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport” shpreh opinionin e tij për mundësitë e Besëlidhjes në transfertën ndaj Erzenit.

“Luajmë në fushën e tyre dhe kjo është një supersfidë që do të tregojë forcat e vërteta të dy skuadrave në lidhje me pretendimet që kanë këtë sezon. Besëlidhja do të luftojë vetëm për fitore, pasi trepikëshi na mban realisht në zonën e ngjitjes në Superiore, objektiv që e kemi marrë shumë seriozisht. Të gjithë jemi optimistë, i kemi mundësitë për të vijuar rrugën drejt objektivit. Skuadra ka trend pozitiv në ndeshjet e fundit zyrtare, ku fitorja e fundit ndaj Dinamos në shtëpi na ka rikthyer normalitetin edhe nga ana psikologjike. Tani jemi të përqendruar vetëm te sfida e radhës ndaj Erzenit. Duke iu rikthyer historisë së tetë javëve të fundit, Besëlidhja ka një golavarazh tepër pozitiv, por fenomeni shqiptar i gjykimit dhe fati, që në fakt është pjesë e lojës, na kanë hequr 5 pikë, që do të na kishin bërë liderë të Grupit A. Gjithsesi, koha që kemi në dispozicion dhe forma aktuale e skuadrës është shpresëdhënëse për të ardhmen. Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të japim maksimumin dhe të mos shpërdorojmë me gabime amatoreske dhe as të mos nënvlerësojmë skuadrat rivale”, ka theksuar për gazetën mbrojtësi i Besëlidhjes, Igli Moqi.

Preng GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"