Besëlidhja nis presionin, gati ndryshimet në ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2016 | 10:19

Besëlidhja nis presionin, gati ndryshimet në ekip

Besëlidhja të premten paradite u dha fund përgatitjeve për ndeshjen e fundit të vitit. Lezhjanët do ta mbyllin pjesën e parë të sezonit në transfertën e Mamurrasit. Megjithëse gjatë ditëve të fundit ka pasur disa largime, në ekip ka sërish besim se do t’ia dalin të fitojnë edhe në këtë takim dhe më pas të mendohet për merkaton gjatë janarit.

Alban Bruka

Bruka

Trajneri Alban Bruka është njeriu që e njeh më mirë nga të gjithë skuadrën lezhjane, pasi ka rreth 25 vjet që është pjesë e saj, që nga moshat, futbollist profesionist e deri trajner që po e kryen edhe aktualisht këtë funksion. Në një prononcim për gazetën, ai shprehet:

“Në Mamurras shkojmë për fitoren e radhës, pasi objektivat që kemi na e diktojnë atë dhe jam i bindur se do t’ia arrijmë. Të gjithë futbollistët që kam në dispozicion janë të gatshëm për formacionin dhe kjo më gëzon, pasi kohët e fundit kemi pasur edhe disa largime, por për arsyet që thashë nuk janë problematike.

Mamurrasi-Beselidhja formacionet

Ndonëse Besëlidhja ka pasur disa ndalesa që na kanë distancuar nga kreu, fundi i fazës së parë dhe fillimi i fazës së dytë ka qenë mjaft i suksesshëm, pasi ende nuk kemi njohur humbjen dhe kjo është shumë e rëndësishme nga të gjitha pikëpamjet. Duke parë diferencën e pikëve, gjysmën e parë të sezonit do ta mbyllim në vend të dytë, por kjo nuk është shumë problematike, pasi gjysmën e dytë të sezonit skuadra do të rifreskohet dhe kjo do të bëjë që deri në fund të sezonit, jo vetëm ta kapim kreun, por ta ruajmë deri në fund, çka do të thotë rikthim në elitë”.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"