Besëlidhja nis merkaton, rikthen mesfushorin serb

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2019 | 17:38

Besëlidhja nis merkaton, rikthen mesfushorin serb

Besëlidhja nis merkaton. Dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë emër të panjohur, por për një rikthim. Milan Gjorgjeviç do të jetë i pari afrim në radhët e lezhjanëve për sezonin 2019-2020.

milan gjorgjevic

Akordi është arritur tashmë dhe 33-vjeçari, pas kontakteve që ka pasur me presidentin Gjok Noka, ka vendosur që të pranojë ftesën. Mesfushori ka shfaqur gatishmërinë për t’iu bashkuar skuadrës që ditën e parë të grumbullimit, paçka se tashmë e vetmja gjë që mbetet të mësohet është pikërisht data kur do të rinisë stërvitja.

Kujtojmë se serbi e ka veshur këtë fanellë në dimrin e 2012- ës. Ai erdhi në janar dhe qëndroi një sezon e gjysmë në Lezhë. Në fund të sezonit 2013- 2014, kohë kur skuadra zbriti në Kategorinë e Dytë, ai u largua nga Besëlidhja. Por nuk ishte lamtumirë, pasi erdhi sërish në Lezhë kur skuadra u rikthye në të Parën dhe ka qëndruar deri në fund të majit 2017. Sezonin që lamë pas, serbi Milan Gjorgjeviç e ka mbyllur tek OFK Mladenovac, që është ngjitur në Ligën e Parë serbe. Ardhjen te Besëlidhja e konfirmoi vetë mesfushori.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ai zbuloi edhe arsyet përse nuk mundi të refuzonte ofertën. “Pas një shkëputjeje prej dy sezonesh, u binda që të rikthehem për të tretën herë te Besëlidhja. Aty e ndiej veten shumë mirë, pasi kam jetuar edhe familjarisht. Në Lezhë kam shumë kujtime të mira, jo vetëm si futbollist. Kam miq dhe gjithmonë kam komunikuar me ta. Për arsyet që përmenda më lart, s’mund ta refuzoja një ofertë nga Besëlidhja dhe për më tepër që për sezonin e ri ka objektiv ngjitjen në Kategorinë Superiore. Unë rikthehem pas një eksperience prej dy sezonesh në kampionatin serb të nivelit inferior.

Por, me OFK Mladenovac jemi shpallur kampionë dhe skuadra është ngjitur në ligën e parë. Besoj se ky sukses do më ndjekë edhe me fanellën lezhjane. Pas bisedimeve që pata me presidentin Gjok Noka, u arrit akordi dhe që ditën e parë të grumbullimit unë do t’i bashkohem Besëlidhjes në stërvitje. Besoj se do të bëjmë një fazë përgatitore intensive, ashtu siç e ka pasur në traditë ky ekip. Me shumë punë, do të realizojmë objektivin madhor”, e mbylli deklaratën e tij mesfushori serb.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"