Besëlidhja mendon për sfidën ndaj Partizanit, Jeremiç: Jemi kthyer në identitet, i përmbysim në Tiranë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2021 | 15:28

Besëlidhja mendon për sfidën ndaj Partizanit, Jeremiç: Jemi kthyer në identitet, i përmbysim në Tiranë

Besëlidhja i dha “shkelmin” krizës. Mjaftuan dy fitore radhazi për t’iu larguar fundit dhe kthyer normalitetit. Mjafton të shohësh stërvitjet e ditëve të fundit për të kuptuar se situata ka ndryshuar për mirë.

jeremi

Mbizotëron qetësia dhe entuziazmi, çka po ia bën më të lehtë punën edhe stafit teknik. Fokusi tashmë është i gjithi te dy ndeshjet që luhen direkt pas pushimit. Në mesjavë përballen me Partizanin për llogari të Kupës së Shqipërisë (ndeshje e dytë e turit të dytë) dhe në fundjavë presin Shkumbinin në shtëpi për javën e 9-të (që mbyll fazën e parë). Synohet rezultat pozitiv te të dyja ndeshjet, ndonëse prioritet merr kampionati.

KTHESA – Këtë e thotë edhe Marko Jeremiç, sulmuesi i ardhur gjatë merkatos së verës. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, paralajmëron se tani lezhjanët nuk do të ndalen më dhe të keqen e kanë hedhur pas krahëve.

“E nisëm vërtet keq sezonin dhe kjo na fundosi. Nuk po ngrinim dot kokë në javët e para. Megjithatë, prapakthehu nuk bëjmë dot. Ajo që shkoi, shkoi… E vetmja gjë që mund të bëjmë është të nxjerrim mësime. E kemi analizuar me përgjegjësi gjithçka ndodhi dhe po mendojmë vetëm për të ardhmen. Kjo strategji dha efekt. Besëlidhja e vërtetë është ajo e pasjavës së gjashtë. Jemi kthyer në identitet. Ekipi i kohëve të fundit tregoi se si fitohet në shtëpi, por edhe në transferta shumë të vështira. Me Apoloninë që vjen Kategoria Superiore, nuk ishte e lehtë, por ditëm ta zgjidhnim dhe fituam 0-3”, u shpreh fillimisht serbi.

KUALIFIKIMI – Ai ndalet edhe te ndërprerja e kampionatit dhe Kupa, ndërsa nuk e mohon dëshirën për të përmbysur rezultatin përballë “demave” dhe kualifikuar. “Kjo javë pushimi është avantazh për ne, pasi për më shumë se një javë jemi pushim. Përfundimisht duhet të krijojmë stabilitet psikologjik dhe të mos mbivlerësojmë veten e as të mos i nënvlerësojmë kundërshtarët, kushdo qofshin. Në radhë kemi ndeshjen e kthimit në Kupë ndaj Partizanit, një sfidë që po e vlerësojmë, ndonëse objektivat i kemi në kampionat. Duke analizuar ndeshjen e parë në shtëpi ndaj të kuqve, ku u mundëm me një penallti të paqenë, nuk përjashtohet mundësia që këtë disavantazh minimal ta përmbysim në Tiranë. Besëlidhja është ekip që di të fitojë kudo dhe kundër kujtdo, ndaj jam entuziast për të ardhmen. Tani e tutje nuk do të diskutohet mbijetesa, por pretendimet madhore”, përfundoi 28- vjeçari.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"