Besëlidhja me trajner të ri, Plori: Ja pse zgjodha lezhjanët

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Qershor 29, 2019 | 15:10

Besëlidhja Kategoria e pare Të fundit

Besëlidhja me trajner të ri, Plori: Ja pse zgjodha lezhjanët

“Zgjohen” drejtuesit e Besëlidhjes, Elvis Plori është trajneri i ri i lezhjanëve. Dje në mbrëmje ka qenë vetë shkodrani ai që ka konfirmuar për “Panorama Sport” se ka gjetur marrëveshjen me drejtuesit. “Aktualisht jam me pushime në Mal të Zi, por mund t’ju konfirmoj se kam arritur marrëveshjen me drejtuesit e Besëlidhjes.

plori1

Sapo të kthehem nga pushimet, do të firmos zyrtarisht edhe kontratën”, ka thënë fillimisht Plori. I pyetur se çfarë e bindi që të pranonte drejtimin e Besëlidhjes, shkodrani u shpreh: “Kam marrë përsipër për të drejtuar ekipin lezhjan, sepse u binda nga garancia që më dha presidenca. Kam biseduar me drejtuesit dhe më kanë dhënë siguri të plotë që do të ndërtohet një ekip i denjë për t’u ngjitur në Superiore”.

KARRIERA

Elvis Plori ka afro një dekadë në trajning. Fillimisht e ka nisur si zv.trajner te Vllaznia në vitin 2010. Për një periudhë të shkurtër arriti të ishte edhe në krye të pankinës, duke drejtuar shkodranët në disa ndeshje në Superiore. Në vitin 2012 mori përsipër drejtimin e Burrelit në Kategorinë e Parë, ku qëndroi për një vit në krye të stolit. Suksesin e parë të madh si trajner e arriti me Tërbunin e Pukës, duke e ngjitur në Kategorinë Superiore në sezonin 2014-2015. Më pas drejtoi Kastriotin, qoftë në Kategorinë e Parë, ashtu edhe në Superiore. Në sezonin e fundit ishte një fazë nën drejtimin e krutanëve, ndërsa në pjesën e dytë të kampionatit drejtoi Burrelin në Kategorinë e Parë, ku e shpëtoi nga rënia në të Dytën. Pas disa ditësh bisedime me drejtuesit lezhjanë, Plori pranoi më në fund ofertën. Kandidatë për stolin e Besëlidhjes ishte edhe shkodrani tjetër, Samuel Nikaj, i cili po dje u zyrtarizua në stolin e Lirisë së Prizrenit.

elvis plori

SITUATA

Besëlidhja pritet të ruajë grupin dhe të forcohet me idenë për të provuar ngjitjen në Superiore pas një dekade në Kategorinë e Parë. Te lezhjanët ka një konfirmim për afrimin e mesfushorit serb, Milan Gjorgjeviç, që është shumë i njohur për tifozët vendës, pasi ka luajtur për disa vite në të kaluarën me fanellën e Besëlidhjes. 33-vjeçari ka konfirmuar për gazetën akordin me drejtuesit, ndërsa pritet që javën e ardhshme të nisë zyrtarisht edhe puna. ‘

PRENG GJIKOLA




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com