Besëlidhja me ekip ”bio”, Bruka: Ja dalim me lezhjanë, kemi cilësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2021 | 16:31

Besëlidhja me ekip ”bio”, Bruka: Ja dalim me lezhjanë, kemi cilësi

Te Besëlidhja janë gati të qëndrojnë të gjithë futbollistët lezhjanë që mbyllën sezonin me këtë ekip. Vetëm Florian Përgjoni ka vendosur deri tani të mos rinovojë dhe këtë e ka konfirmuar vetë mesfushori.

bruka

Alban Bruka është i vendosur për të ndërtuar një ekip “bio”, ndonëse kampionati pritet që të ashpërsohet ndjeshëm me një grup. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri mendon se ka një bonus në këtë drejtim, faktin që të gjithë lojtarët vendës i ka stërvitur edhe te moshat. “Do ta ndërtojmë Besëlidhjen e sezonit të ri me lezhjanë. Plani është i qartë dhe realisht po punojmë fort.

Pozitiv është fakti se unë njoh shumë prej tyre, pasi i kam stërvitur te moshat. Po bëj seleksionim, që të marrim ata që vërtet bindin. Shumë elementë të dalë nga moshat e Besëlidhjes dhe ndonjëri nga akademitë private që operojnë në Lezhë, sezonin që lamë treguan që vlenin. I aktivizova gjatë fazës së tretë dhe më bindën, ndaj edhe hodha idenë e ndërtimit të ekipit kryesisht me produkt vendës”, u shpreh fillimisht numri një i pankinës lezhjane.

Baza do të jetë vendëse, megjithatë do të ketë edhe afrime “big”. Këtë e konfirmon vetë Bruka, edhe pse jep detaje në emra: “Teksa po punohet për përzgjedhjen e futbollistëve lezhjanë, ne paralelisht vijojmë të piketojmë edhe ndonjë element kualitativ nga ekipet e tjera, që do të na vlejë për kompletimin e organikës”. Ngjitja mbetet misioni i klubit dhe nuk ka dyshime për këtë, ndërsa dilema ka vetëm për nisjen e punës për sezonin e ri.

“Objektivi i vetëm i Besëlidhjes mbetet ngjitja në Superiore, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm në ndërtimin e Besëlidhjes. Kampionati i ardhshëm i Kategorisë së Parë është i një shkalle më të lartë vështirësie, pasi skema ka ndryshuar. Fazën përgatitore mund ta nisim javën e fundit të korrikut ose në fillim të gushtit, kjo nuk është vendosur ende. Shumë shpejt do ta kemi një datë grumbullimi”, përfundoi trajneri.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"