Besëlidhja kërkon të përsërisë historinë ndaj Partizanit, Plori: Kampionati prioritet, por duam fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2020 | 11:01

Besëlidhja kërkon të përsërisë historinë ndaj Partizanit, Plori: Kampionati prioritet, por duam fitoren

Besëlidhja pret sot në stadiumin e Lezhës Partizanin për t’u ndeshur në kuadër të xhiros së dytë të Kupës së Shqipërisë. Në këto 12 vite që Besëlidhja militon në Kategorinë e Parë, është hera e dytë që do të ndeshet me Partizanin për Kupë. Herën e parë, Besëlidhja është ndeshur me Partizanin më 26 tetor 2016 në kuadër të xhiros së dytë të Kupës, ashtu si edhe kësaj here, duke e mundur në Lezhë në shifrat 1-0. 

beselidhja

Ndërsa në ndeshjen e kthimit, të luajtur më 16 nëntor 2016, në “Elbasan Arena” barazuan 1-1, kështu që i eliminuan “demat” nga Kupa e Shqipërisë. Në atë kohë trajner i Besëlidhjes ishte lezhjani Alban Bruka, i cili arriti që ta ngjiste skuadrën lezhjane deri në gjysmëfinale, ku pas Partizanit eliminuan edhe Flamurtarin. Në Lezhë të gjithë janë të entuziazmuar që përsëri Besëlidhja do të ndeshet me Partizanin, që është kampioni në fuqi. Që nga presidenti Gjok Noka e deri te tifozëria shprehin respektin e tyre për Partizanin dhe janë të përgatitur që ta presin me nderime, por që të përsërisin edhe suksesin e para 3 viteve.

elvis plori

Trajneri Elvis Plori, i cili është edhe përgjegjësi kryesorë për këtë ndeshje dhe për të gjitha, në deklaratën e tij për “Panorama Sport” shprehet: “Objektivi madhor i Besëlidhjes është ngjitja në Superiore, ndaj edhe të gjitha energjitë i kemi të përqendruara këtu. Pavarësisht kësaj, edhe në Kupë do të luftojmë brenda kapaciteteve tona për të dhënë më të mirën e mundshme. Unë gjatë këtyre ditëve kam kërkuar nga ekip që të punojë me përgjegjësi të madhe gjatë seancave stërvitore, në mënyrë që të paraqitemi sa më dinjitoz përballë një skuadre si Partizani, një nga skuadrat më të mira të sezonit të shkuar. Kryesore për mua është se tani jemi në fillim të gjysmës së dytë të sezonit dhe kjo sfidë do të jetë një provë reale për të parë formën e besëlidhjes përballë një skuadre Superioreje ku edhe ne synojmë që të shkojmë”.

Më tej, trajneri Elvis Plori, i pyetur se a ndikon pozitivisht fakti që Partizani vjen në Lezhë pas dy humbjesh radhazi dhe Besëlidhja pas një fitoreje në transfertë, u përgjigj: “Normalisht që ndikon për ne pozitivisht, por Partizani si një skuadër kampione do të dijë ta menaxhojë situatën edhe psikologjikisht. Ne do të luftojmë me të gjitha forcat për t’i kënaqur tifozët e Besëlidhjes dhe shpresoj se do të marrim ndoshta edhe rezultat pozitiv. Është kënaqësi që të ndeshesh me skuadra të tilla si Partizani dhe për më tepër kampion në fuqi edhe në një miqësore, jo më në një sfidë të një kompeticioni serioz siç është Kupa. Flas me optimizëm, pasi i besoj kësaj skuadre që kam në dispozicion, ku përveç futbollistëve që mbyllën gjysmën e parë të sezonit edhe prurjet e reja po funksionojnë dhe kjo më mban në lojë. Së fundi, dua që t’i ftoj tifozët e Besëlidhjes që të na mbështesin sa më shumë dhe me kulturën që i karakterizon, kjo do të na shtynte më shpejt drejt dëshirave të tyre”.

Preng Gjikola

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"