Besëlidhja kërkon rikthimin në Superiore, Plori i druhet Dinamos: Të gjitha skuadrat janë të barabarta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2020 | 13:46

Besëlidhja kërkon rikthimin në Superiore, Plori i druhet Dinamos: Të gjitha skuadrat janë të barabarta

Besëlidhja mbylli dje përgatitjet në kuadër të javës së 17-të të kampionatit, transfertës me Dinamon. Lezhjanët shkojnë në kryeqytet pas fitores 2-1 ndaj Burrelit, që i mban në “vallen” e pretendentëve, pasi janë 5 pikë larg kreut. Për ngjitjen në Superiore Besëlidhjes i duhet të kapë vendin e parë në Grupin A, sepse me ndeshje shtesë asgjë nuk është e sigurt. 

elvis plori

PLORI – Trajneri Elvis Plori në deklaratën enkas për “Panorama Sport” në prag të transfertës dinamovite, deklaron: “Objektivi i Besëlidhjes për sezonin në vijim është ngjitja në Superiore, ndaj po punohet me intensitet të lartë nga të gjithë. Për formën e skuadrës sonë flasin vetë faktet, jemi superiorë me të gjithë, madje tani jemi rreshtuar me 7 skuadrat më të mira të Superiores në Kupë dhe kjo është shumë e rëndësishme, pasi na mban lart psikologjikisht.

Duke lënë pas dështimet apo sukseset, tani jemi të përqendruar te transferta e radhës ndaj Dinamos. Gjithmonë kam qenë dhe vijoj në të njëjtën linjë, kam ecur me parimin e marrjes së gjërave sipas radhës, kuptohet brenda kornizës së programit të përpiluar në fillim të sezonit.

Tani mendojmë vetëm dhe vetëm për ndeshjen me Dinamon. Të gjitha skuadrat janë të barabarta përderisa luajmë në një kampionat, ndaj të gjitha i vlerësojmë pa menduar për emrin, historinë apo vendin që zënë në tabelë. Gjatë gjithë javës skuadra është stërvitur mirë në funksion të kësaj transferte, pavarësisht disa vështirësive që na u krijuan me disa futbollistë për shkak të virozave të stinës. Por deri nesër (sot) besoj se do t’i kem në dispozicion. Objektivi dhe vendi që mbajmë në tabelë nuk na lejon hap fals. Skuadra është e karikuar për të dhënë më të mirën”.

Preng GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"