Besëlidhja, Hajdari: Finale në Shijak, duam fatin aleat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2019 | 17:24

Besëlidhja, Hajdari: Finale në Shijak, duam fatin aleat

Java e 9-të e vë Besëlidhjen në një provë shumë të vështirë, siç është transferta e Shijakut. Nën drejtimin e trajnerit Elvis Plori, skuadra po stërvitet me shumë seriozitet për të kaluar me sukses Erzenin, një kundërshtar i fortë dhe që vjen pas rezultatesh jo të mira. 

beselidhja

Për Besëlidhjen është si një finale që do të përcaktojë renditjen e fazës së parë, pasi edhe dy kryesuesi e Grupit A përplasen mes tyre këtë javë. Lezhjanët e konsiderojnë veten si një ndër kandidatët kryesorë për ngjitjen në Superiore, por deri tani ende nuk kanë bërë atë hapin e madh përpara në raport me rivalët, përkundrazi, janë pas tyre. Në këtë situatë, një fitore e mundshme në Shijak do të ishte një shtysë e fortë për vazhdimin e kampionatit.

HAJDARI – Sulmuesi shkodran i Besëlidhjes, Arsen Hajdari, në një prononcim për “Panorama Sport” jep mendimin e tij për sfidën me Erzenin dhe për vazhdimin e kampionatit. “Java e fundit e fazës së parë na rezervon një transfertë shumë të vështirë në Shijak, ndaj Erzenit që renditet një shkallë poshtë nesh, por që mbetet kërcënim për kreun. Janë katër ekipe në pozita kryesuese dhe secili prej tyre ka shanset e veta. Duke përfituar nga pushimi i fundjavës që lamë pas, po stërvitemi intensivisht për të rikuperuar energjitë dhe për të qenë sa më në formë përballë Erzenit.

Besëlidhjes vetëm fitorja i bën punë dhe po e vlerësojmë kundërshtarin maksimalisht. Duhet të gabojmë sa më pak jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në ato që vijnë më pas. I jemi kthyer fitores me goleadë, ashtu siç e nisëm sezonin. Besoj se edhe fati do të jetë aleati ynë tani e tutje, pasi deri tani kemi krijuar raste të pafundme shënimi, por pa mundur t’i finalizojmë. Shpresoj se kjo Besëlidhje që po shohim kohët e fundit të marrë pikët e plota në Shijak dhe të vazhdojë në korsinë e ngjitjes në elitë, që është edhe objektivi ynë final”, deklaroi sulmuesi shkodran, Arsen Hajdari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"