Besëlidhja godet në merkato, vjen ish-kapiteni i Dinamos dhe mesfushori nga Tomori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2019 | 21:40

Besëlidhja godet në merkato, vjen ish-kapiteni i Dinamos dhe mesfushori nga Tomori

Nuk vonoi presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, për të bërë dy lëvizjet e para në merkaton e verës, siç pohoi një ditë më parë në prononcimin për “Panorama Sport”.

sheta

Arjan Sheta dhe Aristotel Koleci janë dy lojtarët e rinj të Besëlidhjes. Ata kanë arritur akordin me drejtuesit e klubit lezhjan dhe firma në kontratën e re është thjesht një formalitet. Presidenti Gjok Noka, në bashkëpunim me trajnerin Elvis Plori, kanë vendosur t’i besojnë përvojës së Arjan Shetës, 38-vjeçarit që ka luajtur me shumë skuadra në Superiore.

aristotel koleci

Së fundi ka qenë pjesë e Dinamos në Kategorinë e Parë, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, ndërkohë që më parë ka luajtur për Tiranën, Teutën, Elbasanin, Partizanin, Kastriotin, Laçin dhe Korabin. Kurse mesfushori 26-vjeçar, Aristotel Koleci, vjen në Lezhë nga Tomori. Më parë, ai ka qenë pjesë e Kamzës për disa sezone. Janë dy përforcimet e para të Besëlidhjes dhe sigurisht që do të ketë të tjera gjatë ditëve në vazhdim.

PLORI

Pak ditë pasi mori drejtimin e Besëlidhjes, trajneri Elvis Plori ka dhënë një prononcim për “Panorama Sport”, ku ka komentuar edhe dy blerjet e para të merkatos së verës.

“Me presidentin Noka kemi rënë dakord për të marrë deri tani dy futbollistë, Arjan Shetën dhe Kolecin. Të dy i njoh shumë mirë dhe kam besim se do ta kryejnë më së miri detyrën për të cilën i kemi thirrur në skuadër. Te Besëlidhja kam ardhur me një dëshirë shumë të madhe, pasi ky ekip është mjaft i njohur dhe me traditë në futbollin shqiptar.

E di që Besëlidhja ka 11 sezone që tenton ngjitjen në elitë dhe besoj se sezoni i 12-të do të sjellë realizimin e këtij objektivi. Patjetër që do të jetë një sukses i madh. Ndihma dhe mbështetja nuk do të më mungojë, si nga presidenti, ashtu edhe nga futbollistët, të cilët do të jenë të përkushtuar për arritjen e qëllimit të përbashkët. Për të arritur të gjitha këto, duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm, pra, duhet që çdo hap që hedhim të jemi të matur në merkato.

Duhet të ruajmë grupin, duke e rinovuar vetëm aty ku ka më shumë nevojë për të ruajtur balancat. Kemi rënë dakord me presidentin që të zbresim në fushën e stërvitjes më 20 korrik, për të nisur përgatitjet për sezonin e ri. Si fillim do të përqëndrohem te stabilizimi i grupit, duke testuar edhe formën fizike të futbollistëve pas pushimeve. Ashtu siç e kam theksuar që në daljen e parë si trajner i Besëlidhjes, me atë skuadër që do të dakordësohem, nuk do ta pranoj dështimin. Besoj se Besëlidhja është stacioni i duhur për mua”.

PRENG GJIKOLA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"