Besëlidhja feston 85-vjetorin, ja historia e klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2015 | 21:29

Besëlidhja feston 85-vjetorin, ja historia e klubit

beselidhjaBesëlidhja, nën drejtimin e trajnerit Kreshnik Krepi, vijon stërvitjen e zakonshme në kuadër të javës së nëntë të kampionatit që do të luajë në Fushë-Krujë ndaj Ilirisë. Transferta e radhës po vlerësohet maksimalisht nga skuadra lezhjane. Dje ka qenë një ditë historike për skuadrën lezhjane, pasi ka mbushur 85 vite që nga krijimi i saj. Historia – Pikërisht më 17 nëntor të vitit 1930 themelohet zyrtarisht klubi sportiv Bardhyl (Besëlidhja e sotme). Por, është për të ardhur keq, pasi dje nuk pati asnjë aktivitet në kuadër të këtij përvjetori, as nga Bashkia dhe as nga klubi. Futbolli në Lezhë është luajtur me topa të mirëfilltë futbolli të sjellë nga një oficer i lartë austriak që në vitin 1916, ku të rinjtë ishin organizuar në bazë lagjesh.

Në vitin 1920, më 1 qershor këta djem bashkohen nën emrin Djelmnia e Leshit (Lezhës) dhe kanë organizuar ndeshje futbolli, por kryesisht në Shkodër, pasi në Lezhë nuk kishte fushë të mirëfilltë futbolli. Në vitin 1930, Qeveria e Zogut, me një dekret të datës 6 qershor, themeloi Federatën Shqiptare të Futbollit dhe ndërmori masa konkrete që të themeloheshin edhe shoqëritë futbollistike nëpër qytete që ende nuk kishin skuadra futbolli. Po këtë vit u vendos që të fillonte edhe kampionati i parë i futbollit. Kështu, në vitin 1930 u krijua në qytetin e Lezhës shoqëria dhe skuadra e futbollit me emrin Bardhyl i Leshit (Lezhës), ndonëse një skuadër me emrin Djelmnia kishte ekzistuar që në qershor të vitit 1920. Në këtë vit, u zhvillua edhe ndeshja e parë e kampionatit të parë shqiptar në qytetin e Durrësit, midis Teutës dhe Bardhylit. Kjo ndeshje inauguruese u fitua nga Teuta 7-1. Duhet theksuar se për të parë këtë ndeshje kanë udhëtuar nga Lezha me qindra sportdashës, me biçikleta e makina, të cilëve u është bërë një pritje e madhe nga sportdashësit durrsakë. Trofetë – Besëlidhja është 8 herë kampione e Kategorisë së Parë. Për herë të parë është shpallur kampione në vitin 1937 ku ka debutuar në Superiore. Besëlidhja ka luajtur 24 sezone në Kategorinë Superiore, por pa mundur që të zërë një vend qoftë edhe në zonën e Kupave të Europës. Besëlidhja, në historinë e saj, njeh edhe 2 rënie në Kategorinë e Dytë, në sezonin 1961-1962 dhe në sezonin 2013-2014, ku të dy herët ka qëndruar vetëm një sezon.

Përgatiti: Preng Gjikola

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"