Besëlidhja është e pandalshme, merr edhe futbollistin e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2020 | 23:42

Besëlidhja është e pandalshme, merr edhe futbollistin e Vllaznisë

Pas dy futbollistëve serbë që erdhën të enjten, Besëlidhja e ka mbyllur dje merkaton e dimrit, pasi me skuadrën lezhjane është bashkuar edhe mbrojtësi shkodran Samet Ruqi, i cili luan në krahun e majtë. Ai ka qenë pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë këtë sezon, por nuk ka pasur hapësirat e nevojshme dhe tashmë ka ardhur në Lezhë, duke e çuar në tri numrin e përforcimeve. 

Ruqi

PLORI – Për miqësoren e sotme ndaj Skënderbeut në Durrës dhe për merkaton e janarit, ka folur për gazetën “Panorama Sport” trajneri Elvis Plori, i cili deklaron: “Ashtu siç ishte premtuar, skuadra nga sot (dje) është kompletuar me tre futbollistë, që zëvendësojnë tre të larguarit. Në fillim erdhën dy futbollistët serbë, portieri dhe sulmuesi, që kanë dy ditë që po stërviten me ekipin dhe po më kënaqin me formën e tyre fizike, deri diku edhe me përgatitjen teknikotaktike.

elvis plori

Futbollin shkodran e njohim, pasi ka luajtur këtu. Kemi planifikuar një miqësore në Durrës ndaj Skënderbeut, që do të pasohet nga një tjetër të martën në Laç, ku do të provojmë të gjithë futbollistët ndaj ekipeve më të mira se ne. Shpresoj shumë në përmirësimin e cilësisë së lojës nga prurjet e reja, çka do të na lehtësonte rrugën drejt objektivit. Për hir të së vërtetës, puna na është vështirësuar disi, por jo aq sa të na largojë nga synimi ynë.

Në miqësoret që do të zhvillohen për ne, rëndësi më shumë se rezultati do të ketë loja, mënyra si do të menaxhohet nga futbollistët, si do të bashkëveprojnë dhe më kryesorja si do t’i finalizojnë aksionet, pasi aty kemi çaluar gjysmën e parë të sezonit. Pa dyshim që vëmendjen kryesore do ta përqendrojmë te të ardhurit, pasi duam të kemi një konkluzion real për formën e tyre, shkurt të na bindin për atë që i kemi marrë në ekip”. Lezhjanët janë 7 pikë larg vendit të parë në Grupin A, vend që mbahet nga Kastrioti.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"