“Besëlidhja, ekip më i fortë se vjet, ndaj e kemi ngritur ‘stekën’ e pretendimeve”, Bruka: E kapim “mat” Lushnjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2022 | 12:23

“Besëlidhja, ekip më i fortë se vjet, ndaj e kemi ngritur ‘stekën’ e pretendimeve”, Bruka: E kapim “mat” Lushnjen

Besëlidhja nuk e ka në plan të ndalet. Pasi mundën Besën në shtëpi, tashmë janë gati për Lushnjën. Këtë javë shkojnë në transfertë, por objektivi nuk ndryshon.

BRUKA BESELIDHJA

Edhe pse Alban Bruka tregohet i matur, kur i pyetur për pritshmëritë e kësaj ndeshjeje, rrëfen se i ka marrë masat për ta kapur “mat” kundërshtarin. Grupi është më shumë se i plotë dhe, mbi të gjitha, i etur për të korrur sukses, çka i jep shpresë trajnerit për të mos u kthyer duarbosh nga “Roza Haxhiu”.

STRATEGJIA

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai zbulon se si ka shkuar java përgatitore dhe “strategjinë” që ka përdorur.

“Gjatë gjithë javës stërvitjen e kemi orientuar me një program special. I jemi përshtatur stilit të lojës së lushnjarëve. E thënë troç, kemi marrë masat e duhura për këtë transfertë.

Të gjithë futbollistët kanë qenë në lartësinë e duhur dhe kjo më bën optimist.

Ne si staf teknik jemi munduar që të punojmë në mënyrë të diferencuar me futbollistë që kanë pasur vështirësi në ndeshjet e para, u referohem më së shumti atyre që erdhën në periudhën e fundit të merkatos”, u shpreh fillimisht numri një i pankinës.

OBJEKTIVAT

Besëlidhja u bë vite në inferiore dhe kjo e ka lodhur ndjeshëm. Duan ngjitjen, ndonëse misioni këtë vit është një “malore” e vërtetë.

E megjithatë, kjo nuk e pengon klubin dhe stafin teknik që të kenë pretendime.

“Besëlidhja e sivjetshme është shumë më e fortë se ajo e sezonit të kaluar, ndaj kemi ngritur edhe ‘stekën’ e pretendimeve. Kampionati ka nisur shumë i fortë dhe me surpriza, kështu që duhet t’i vlerësojmë të gjitha ekipet, pavarësisht emrit apo historisë.

Ne e vlerësojmë mjaft Lushnjën, pasi ka një ekip shumë të mirë, po ashtu edhe objektiva seriozë për ngjitje, ndaj na duhet që të luftojmë fort në arenën verdhejeshile për të marr hakun tonë.

Shumicën dërrmuese të futbollistëve që i kam në dispozicion janë të karikuar më së miri, ndaj besoj fort se nga Lushnja nuk do të kthehemi pa pikë. Çdo pikë që marrim është një ngjitje në shkallët e tabelës drejt kreut, aty ku synojmë”, përfundoi Bruka.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"