Besëlidhja e ngujuar, trajneri Elvis Plori ka një mesazh për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2020 | 16:11

Besëlidhja e ngujuar, trajneri Elvis Plori ka një mesazh për…

Besëlidhja, ashtu si të gjitha skuadrat e tjera, të premten nuk është grumbulluar për shkak të masave shtrënguese të marra së fundi nga qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit të rrezikshëm COVID-19. Koronavirusi tashmë ka pushtuar gjithë globin, duke u shëndërruar në pandemi.

elvis plori

Ndërkohë, FSHF njoftoi pezullimin e kampionateve në Shqipëri pa afat. Besëlidhja renditet në vend të dytë të grupit A, plot 9 pikë larg kreut, që mbahet nga Kastrioti. Në këto kushte, rruga drejt elitës po kthehet në “mollë e ndaluar edhe për këtë sezon, që është i 13-të radhazi që Besëlidhja militon në Kategorinë e Parë dhe jo Superiore.

Traineri i Besëlidhjes, shkodrani Elvis Plori, për “Panorama Sport, foli në lidhje me situatën e pazakontë që ka përfshirë vendin, duke stopuar edhe futbollin. Është me të vërtetë për të ardhur keq që sporti, jo vetëm në Shqipëri, por në një pjesë të mirë të Europës, ndalon në këtë mënyrë, pra me detyrim.

Normalisht edhe për ne si skuadër ndikon për keq, sepse programet stërvitore që kishim bazuar, me një kulm për këtë javë, që kishim plot 3 ndeshje, bien poshtë tashmë. Jam munduar që të kontaktoj me të gjithë lojtarët, në radhë të parë duke u informuar për shëndetin, pastaj për mundësitë që sado pak të stërviten në kushtet dhe mundësitë që kanë.

Gjithsesi, duhet të sensebilizohemi të gjithë me këtë situatë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, duke qëndruar në shtëpi. Uroj me gjithë shpirt, që ata persona që jane të prekur nga virusi, të shërohen sa më parë dhe t’i kthehen normalitetit. Shpresoj që kjo gjendje e jashtëzakonshme të mbyllet me sa më pak viktima dhe bota ti kthehet normalitetit, përfshi sportin dhe në veçanti futbollin, deklaroi Plori.

PRENG GJIKOLA -Panoramasport.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"