“Besëlidhja e ka cilësinë për kreun”, Hajdari i bindur: Kam gjetur një skuadër më të fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2019 | 23:51

“Besëlidhja e ka cilësinë për kreun”, Hajdari i bindur: Kam gjetur një skuadër më të fortë

Nën drejtimin e tra jnerit shkodran Elvis Plori, Besëlidhja ka vijuar stërvitjen intensive në kuadër të javës së parë të kampionatit, që starton të shtunën në stadiumin e Lezhës me ndeshjen ndaj Korabit.

Arsen Hajdari Vllaznia

Tashmë Besëlidhja është plotësisht e gatshme për ta nisur mbarë kampionatin, pasi në dy muajt e fazës përgatitore e ka marrë karikimin e duhur nga të gjitha pikëpamjet për të luftuar për një vend në Superiore.

Sulmi i Besëlidhjes së Plorit ka gjasa që në majë të tij të ketë si titullar shkodranin Arsen Hajdari dhe kavajasin Edmond Hoxha, dy futbollistë të dalë nga dy shkollat më të suksesshme të futbollit tonë që edhe sot e kësaj dite po furnizojnë edhe Kombëtaren.

HAJDARI – Në merkaton e kësaj vere erdhën tetë futbollistë në Lezhë dhe një ndër ta është sulmuesi i krahut, 30- vjeçari Arsen Hajdari. Për të është hera e dytë që e vesh fanellën e Besëlidhjes, ndaj nuk e ndien veten “të huaj” në Lezhë. Këtë e deklaron edhe gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, duke u shprehur:

“Tashmë sezoni i ri futbollistik po troket. Ekipi është stërvitur për rreth dy muaj radhazi nën drejtimin e trajnerit Elvis Plori dhe ia ka arritur qëllimit për të qenë të shtunën përballë Korabit në formën më të mirë të mundshme. Kam ardhur pak me vonesë dhe i jam bashkuar me vonesë ekipit në stërvitje, për rrjedhojë një pjesë të mirë të kohës jam stërvitur individualisht derisa kam ardhur në formë dhe tani jam plotësisht i gatshëm për nisjen e sezonit.

Te Besëlidhja nuk jam i huaj, pasi këtu e kam mbyllur edhe një sezon si titullar, ndaj e ndiejë veten shumë mirë. Për të shtunën gjithçka është gati, trajneri e ka në dispozicion dhe në formë optimale gati të gjithë kontigjentin e futbollistëve. Ai po mendon për formacionin, me të cilin do të kërkojë fitoren përballë Korabit. Besëlidhja e sivjetshme është më e kompletuar se ajo që mbaj mend unë, por edhe se ajo e sezonit të shkuar.

Ka mjaft futbollistë me eksperiencë edhe në Superiore, të alternuar me të rinj, por që edhe këta e kanë njëfarë eksperience. Kjo situatë më ngroh dhe besoj se sezonin do ta nisim me fitore. Nuk na mungon cilësia për një ndërmarrje të tillë, vetëm se duhet vlerësim maksimal i kundërshtarit. Në futboll duhen eliminuar gabimet, aq më tepër nga skuadrat pretendonte. Objektivi arrihet me shpirt luftarak dhe grintë”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"