Besar Musolli, 3515 km udhëtim për një fitore në Lushnjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2017 | 13:54

Besar Musolli, 3515 km udhëtim për një fitore në Lushnjë

Kukësi luan një transfertë sa të lehtë në letër, aq edhe të vështirë në fushën e blertë, pasi lushnjarët kërkojnë me çdo kusht pikë mbas nisjes së dobët që kanë bërë këtë kampionat. Në katër takime, lushnjarët kanë marrë vetëm dy pikë, ndaj kërkojnë të surprizojnë kampionët në shtëpi.

Besar Musolli

Sakaq, ekipi verilindor shkon në këtë ndeshje në transfertë e Lushnjës me objektivin e vetëm marrjen e 3 pikëve. Sipas drejtuesve kuksianë, fitorja është rruga e vetme për ekipin. Trajneri Milinkoviç po harton formacionin, por situata e dëmtimeve e ka shqetësuar shumë, pasi i duhet të gjejë zëvendësuesit për titullarët.

Musolli

Nisur nga situata e dëmtimeve të dy lojtarëve kryesorë të Kukësit, Shameti në qendër të mbrojtjes dhe Zeqiri në mesfushë, trajneri është zënë ngushtë dhe kështu klubi ka thirrur në grumbullim mesfushorin Besar Musolli, i cili vjen nga një udhëtim i lodhshëm, 12-orësh, nga Islanda në Kosovë.

Mesfushori ka qenë i grumbulluar për dy takimet e Kombëtares së Kosovës, ku në ndeshjen e zhvilluar ndaj Ukrainës në “Loro Boriçi” 28-vjeçari luajti titullar. Ndërsa ndaj Islandës mesfushori shkatërrues nuk u aktivizua.

Në mesnatën e së hënës, Kombëtarja e Kosovës ka udhëtuar me avion nga Islanda në Angli e më pas nga Londra drejt Kosovës me çarter. Plot 3515 km të përshkuara në linjë ajrore dhe gjysmë dite udhëtim. Por, mesfushorit, mbas lodhjes së tejskajshme, i duhej që të vijonte udhëtimin nga Prishtina në Tiranë për t’u bashkuar me ekipin.

Zgjidhja

Trajneri Milinkoviç e mendon skuadrën e parë sigurisht me Musollin në formacion, pasi një futbollist i atij kalibri i bën punë çdo trajneri. 49-vjeçari serb ka thurur edhe planin “B”, nëse dështon mundësia e të qenit të kosovarit në formacion. Gjithsesi, Milinkoviç do të diskutojë me lojtarin nëse kosovari është i pamundur për gjithë takimin, atëherë do të përdoret “xholi” i ekipit, Eni Imami në mesfushë në vend të Musollit.

24-vjeçari ka luajtur disa role, madje dhe si mbrojtës qendre, por Imami provohet në rolin e mesfushorit të qendrës në të majtë, në vend të Musollit, pasi tekniku e ka bërë këtë eksperiment edhe më parë. Ndaj Lushnjës, nëse Imami luan në mesfushë, Rrumbullaku kalon në vendin e tij në krahun e majtë të mbrojtjes. Por, me mbërritjen e Musollit, gjithçka do të zbardhet dhe sot pritet të përcaktohet edhe formacioni për transfertën e Lushnjës.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"