Besa udhëton pa sulmues në Peqin, Perja: Situatë delikate

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2021 | 12:41

Besa udhëton pa sulmues në Peqin, Perja: Situatë delikate

Besa nuk ka asnjë fitore përballë Egnatias. Kryesuesit i kanë marrë 7 pikë në tri fazat e para dhe kavajasit tani kanë shansin për “revansh”. Edhe pse nuk kanë më pretendime dhe mbi të gjitha kanë mungesa e largime të parakohshme, Skerdian Perja paralajmëron se do të luajnë si të barabarta. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi shprehet se nuk do të udhëtojnë të dorëzuar në Peqin dhe do të bëjnë çmos që të tregojnë vlera.

EGNATIA BESA

“Do dëshiroja që të kishim grupin e plotë, për të dhuruar emocionet dhe grintën e tri fazave të para. Për shumë arsye, ne do të udhëtojmë në Peqin me disa mungesa të rëndësishme, ku më kryesoret janë ato të sulmuesve Peqini e Kaina. Thënë ndryshe, luajmë pa sulmues, pasi gjatë gjithë sezonit fatkeqësisht kemi pasur vetëm këta të dy të fundit. Krahas tyre nuk është as Sefa, ndërsa Kukaj sapo është kthyer nga dëmtimi. Përmenda këta emra, pasi kurrë nuk e kemi mohuar që këtë kampionat nuk kemi pasur alternativa cilësore në stol.

Vërtet situata është delikate, por nuk do të udhëtojnë aspak të dorëzuar drejt Peqinit. Me këto mungesa luajtëm edhe në Pogradec e Berat, por luajtëm si të barabartë në 80% të ndeshjes. E megjithatë, tani ka ardhur koha që të jemi më pragmatist dhe shfrytëzojmë ato raste që na krijohen. Ne do të ndeshemi në Peqin me Egnatian në kushte të pabarabarta, por do të japim maksimumin që të tregojmë vlerat tona”, përfundoi Perja.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"