Besa synon elitën me një skuadër “olimpike”, në formacion janë 5 lojtarë nën 20 vjeç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2020 | 20:15

Besa synon elitën me një skuadër “olimpike”, në formacion janë 5 lojtarë nën 20 vjeç

Drejtuesit e Besës e kanë shpallur hapur objektivin e ngjitjen në Superiore. Një objektiv që ka 6 vite që përsëritet, por duket se këtë sezon mund të bëhet realitet më shumë se kurrë. Garanci për këtë është organizimi i hershëm i skuadrës, stafi me ambicie si dhe grupi i futbollistëve të afruar. Ndryshe nga sezonet e mëparshme, kur Besa kthehej në “mësimore” gjatë verës, këtë radhë u afruan futbollistë vërtet cilësorë dhe me përvojë.

Besa MIQESORE LOGO

TË RINJTË – Suksesi i Besës nuk është menduar vetëm për sot, por edhe për nesër. Ndoshta si në asnjë ekip tjetër, grupi i futbollistëve 18 deri në 20-vjeç në radhët e Besës nuk është thjesht për stol. Shumë prej tyre do të jenë titullarë, në mënyrë që kur të jenë në Superiore, verdhezijntë nuk kanë arsye ta bëjnë ekipin nga e para. Gjatë sezonit të kaluar, nga trajnerët Magani e më pas Kashami në formacion luajtën portieri Dobjani, mbrojtësit Shimaj, Zeqiri dhe Kacbufi, mesfushori Lila dhe sulmuesi Meçja. Këta futbollistë vazhdojnë të jenë pjesë e formacionit duke e bërë Besën një ekip “olimpik”.

ZEKOLLI – Krahas tyre, është edhe talenti kosovar Leart Zekolli, vetëm 18 vjeç dhe një lojtar me të ardhme të sigurt. Zekolli pohon për “Panorama Sport” në Kavajë ka gjetur besim dhe motivim. “Kisha dëgjuar se klubi i Besës i mirëpret lojtarët e rinj nga Kosova dhe u jep besim. Tani këtë po e provoj vetë dhe jam shumë i gëzuar. Nuk e prisja të jem i sinqertë, të luaja kundër Tiranës aq minuta sa luajta. U ndjeva mjaft mirë dhe u mundova të bëj më të mirën.

Një avantazh te Besa është se ndodhem mes moshatarëve të mi dhe kjo më motivon më shumë e më bën të besoj që nesër të jem edhe unë si ata në formacion. Shpresoj që sezonin e ri ta mbyllim të parët dhe aderimi në Superiore vitin tjetër do ishte edhe për mua një shans i artë”, tha kosovari.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"