Besa, ringjallja vjen prej… “tre musketierëve”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2019 | 21:38

Besa, ringjallja vjen prej… “tre musketierëve”

Sulmi i Besës po bëhet i “frikshëm”. Kavajasit kanë bërë një fazë të parë plot luhatje, e megjithatë pas 9 javësh zyrtarisht mund të themi se janë ekipi që shënojnë më shumë në të dyja grupet e këtij kampionati. 

Besa-Kavaje

Janë 15 rrjeta në total. Por ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti që 13 golat kanë firmën e Tedi Carës, Alket Çelhakës dhe Çinonso Onuh. “Tre musketierët” e sulmit janë ata që i japin më shumë impuls lojës së kavajasve, por edhe shpresë dhe shumë pikë të lëna rrugës, por në fund të fundit mund të krenohen me sulmin. 13 nga 15 golat e shënuar deri më tani mbajnë firmën e lojtarëve të vijës së parë.

ALKED CELHAKA ( 25 vjeç, 129 ndeshje, 21 gola): Është graduar jo pa shkak edhe kapiten. Forma dhe përvoja që ka treguar mëngjarashi i sulmit kavajas janë “frymëmarrje” për ekipin. Loja shpërthyese në të majtë dhe harkimet e rrezikshme janë gjithnjë raste të mira goli për dyshen Onuh-Cara. Por anësori i Besës di fare mirë të shënojë edhe vetë.

TEDI CARA ( 19 vjeç, 50 ndeshje, 9 gola): është rritur ndjeshëm krahasuar me dy vitet e fundit. Shpejtësia është cilësia bazë e këtij qendërsulmuesi, që së fundmi ka përmirësuar dukshëm dhe fuqinë goditëse. Gjendet në pozicione të volitshme për gol falë intuitës dhe ka një veçori dalluese, që topat e kthyer nga mbrojtja e portierët kundërshtarë nuk i “llaston”, por i shndërron në gola.

ÇINONSO ONUH ( 27 vjeç, 69 ndeshje, 24 gola): Nigeriani është një “pykë” e mirëfilltë që dallohet jo vetëm për lëvizshmërinë në zonë, por edhe manovrat që bën me topin. Sulmuesi po bëhet gjithnjë e më shumë një kundërshtar i vështirë për çdo mbrojtës. Dhe duelet në përgjithësi i ka fituar, derisa ka bërë gola nga çdo pozicion dhe sa me kokë, aq edhe me këmbë.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"