Besa ringjall Ersekën, ekipi kënaq Maganin: Presim disa afrime, objektivin e shpalosim më vonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2022 | 23:20

Besa ringjall Ersekën, ekipi kënaq Maganin: Presim disa afrime, objektivin e shpalosim më vonë

Besa nuk ka të ndalur në fazën përgatitore që po zhvillon në Ersekë. Kavajasit punojnë me dy seanca në ditë, ku vëmendje u është kushtuar përgatitjes fizike, si dhe vrapimeve në ambientet e pyllit me pisha, si dhe punohet edhe në sallën e forcës pranë stadiumit. Pasdite ekipi stërvitet me top në fushën e stadiumit “Gramozi”.

bizhdili magani

Pavarësisht se në stërvitjen e këtyre ditëve në fushë shihen 21 lojtarë, nga drejtuesit e ekipit kavajas mësohet se pritet të vijnë edhe disa lojtarë të tjerë cilësorë. I vetmi futbollist që ka mbërritur ditën e shtunë është tiranasi Jani Nurja, që sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Butrintit. Gjatë seancave stërvitore shikohet edhe interesimi i madh nga presidenti Bizhdili, që i qëndron pranë ekipit. Ardhja e Besës ka ngjallur Ersekën. Drejtuesit e klubit kolonjar, si dhe sportdashësit vendës janë të interesuar për të parë stërvitjen e kavajasve. Ata mbushin shkallët e stadiumit çdo pasdite, sikur të kishte ndeshje zyrtare.

TRAJNERI MAGANI

Për “Panorama Sport” trajneri Gugash Magani tregon punën që po bën ekipi në këtë periudhë, si dhe pritshmëritë e Besës për vazhdimësinë.

“Grupi po plotësohet dhe në vijim do të afrojmë ndonjë lojtar tjetër. Synimi që ne kemi për sezonin e ri është që të konkurrojmë denjësisht në kampionat me ekipet e tjera, për të arritur objektivat që kemi vendosur me presidentin. Por, për t’ia dalë duhet bërë një punë shumë e madhe me të gjithë grupin.

Qëllimi i presidencës është që të formojmë një ekip të fortë dhe besoj se me këta djem do t’ia arrijmë qëllimit që i kemi vënë vetes. Më kënaq fakti që presidenca është duke bërë maksimumin për të sjellë në skuadër elementët e nevojshëm, me qëllim që ne të kemi të gjithë bagazhin dhe eksperiencën për të luajtur denjësisht për realizimin e objektivit.

Do të bëjmë publik në ditët në vazhdim objektivin që do të kemi për këtë sezon. Megjithatë, unë jam i kënaqur kur shikoj këta djem të rinj që me seriozitet kryejnë stërvitje tepër intensive. Më kënaq fakti që gjatë kësaj periudhe përgatitore në Ersekë të gjithë futbollistët nuk kanë pasur ndonjë problem apo dëmtim, duke qenë të gjithë të përkushtuar dhe të gatshëm në dy seancat që zhvillojmë çdo ditë”, u shpreh trajneri Gugash Magani për gazetën.

KOÇO LILO  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"