Besa pretendon elitën, portieri Dobjani i sigurt: E kemi Superioren në këmbët tona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2020 | 14:18

Besa pretendon elitën, portieri Dobjani i sigurt: E kemi Superioren në këmbët tona

Sezonin e kaluar Besa nuk e arriti objektivin e Superiores, por të paktën fitoi disa futbollistë me perspektive, siç janë Lila, Kacbufi, Shimaj, Zeqiri, Mecja e të tjerë. Nëse këta futbollistë jo gjithmonë ishin titullarë, portieri Ilir Dobjani luajti rregullisht në formacionin verdhezi, duke e përmirësuar nivelin e tij nga ndeshja në ndeshje, për të arritur deri te Kombëtarja U-19. Presidenti Nexhat Bizhdili këtë sezon nuk do që të dështojë dhe për këtë ka bërë një merkato mjaft cilësore në emra, duke sjellë në ekip edhe portierin tjetër, Klajdi Kuka, çka do të thotë se porta e Besës është “e blinduar”.

Ilir Dobjani

“Rëndësi ka ecuria dhe suksesi i ekipit. Në këtë kuptim, të gjithë duhet të bëjmë punën tonë. Për çdo portier, kur ka konkurrencë është mirë, sepse jep gjithçka nga vetja. Konkurrenca ndikon pozitivisht për çdo rol, jo vetëm për portën, kështu që ardhjen e Kukës, një portier me përvojë e shoh pozitive edhe për mua. Kemi edhe fatin që na stërvit një trajner si Taulant Guma. Dua të jem në 100% të formës sa herë që Besa të ketë nevojë”, është shprehur Dobjani për “Panorama Sport”.

SUPERIORJA – Portieri kavajas, duke u bazuar në atë çfarë skuadra ka dhënë në ndeshjet miqësore, gjykon se ngjitja në Superiore është plotësisht e realizueshme. “Siç erdhën punët, me vonesa në fillimin e kampionatit, miqësoret që kemi luajtur na kanë shërbyer mjaft. Duket sikur e kemi “filluar” kampionatin. Te Besa ka konkurrencë në çdo repart, jo vetëm në portë. Në dispozicion të stafit teknik janë lojtarë cilësorë dhe mendoj se gjithçka sa i takon objektivit varet vetëm nga këmbët tona.

Kam besim se këtë sezon do të jemi krejt ndryshe, disa herë më të fortë dhe do të gabojmë më pak. Lojtarët me përvojë do të na ndihmojnë të mos i lëshojmë fitoret, një defekt i madh i yni gjatë sezonit të fundit”, ka përfunduar “gardiani” kavajas, Dobjani. Ai do të jetë gjithmonë në një duel të fortë me Kukën për formacionin.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"