“Besa, pretendente numër 1”, Tafili: Ne dhe Vllaznia jemi shkolla të njëjta futbolli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2020 | 23:05

“Besa, pretendente numër 1”, Tafili: Ne dhe Vllaznia jemi shkolla të njëjta futbolli

Po t’i hedhsh një sy formacionit të Besës, vëren se dyshja e qendrës së mesfushës, Tafili-Muçaj, është një nga pikat kryesore të skuadrës. Të dy këta futbollistë pritet të jenë edhe “truri” i lojës së Besës sezonin e ardhshëm, ku presidenti Nexhat Bizhdili ka bindjen e plotë se skuadra do të sigurojë kthimin në elitë.

10-21-42-118630665_983068685522562_1604803371485526879_n

TAFILI
Shkodrani Tafili tregohet modest kur deklaron se i gjithë grupi është “arma” e Besës e jo vetëm mesfusha. “Normalisht, unë dhe Muçaj kemi qindra ndeshje të luajtura, i kemi provuar të gjitha, por në futboll nuk mjafton vetëm përvoja. Duhen gjunjë të fortë dhe, falë Zotit, gëzoj një gjendje fizike optimale. Te Besa nuk është vetëm mesfusha pikë e fortë, i gjithë grupi është i kompletuar”, thekson futbollisti shkodran. Tani që skuadra është konturuar, Tafili është besimplotë për ngjitjen në Superiore. “Dua ta pranoj se premtimi që më dha presidenti Bizhdili se do të bënte ekip të fortë, është realizuar. Një futbollist me përvojë si unë së pari kërkon të dijë me kë do të luajë në ekip. Kur pranova ofertën e Besës, kisha parasysh faktin se kjo skuadër, ashtu si dhe Vllaznia, është një nga ikonat e futbollit shqiptar. Jemi shkolla të njëjta, bazohemi te teknika dhe luajmë futboll të bukur, jo futboll force apo ‘bunker’ prapa. Kavaja ka kushte ideale për një sportist”, shton 33- vjeçari.

FORMACIONI
Besa MIQESORE LOGO

“Nëse vini re, në asnjë miqësore nuk kemi luajtur i njëjti grup. Stafi teknik po sheh miqësore pas miqësoreje që të gjejë vendosjen më efektive që të na përshtatet në kampionat. Kemi luajtur me disa skema taktike dhe zhvendosje lojtarësh në fushë. Nuk mund të them se cili do të jetë 11-shi titullar, pasi Levendi ka vetëm pak ditë që ka ardhur, ndërsa Moqi ende nuk është rikuperuar 100% pas një dëmtimi në stërvitje. Besa nuk e ka arritur optimalen e saj dhe ne për këtë qëllim po punojmë çdo ditë. Miqësoret këtë funksion kanë, por besoj shumë nisur nga kontigjenti që kemi se Besa e këtij sezoni do të jetë kompetitive. Pasi të kemi stabilizuar edhe disa gjëra mund të na gjykojnë realisht për forcën tonë. Ndoshta shtyrja e startit të kampionatit, më shumë se kujtdo, na intereson neve për të gjitha arsyet që citova më lart. Ju siguroj se sikur nesër të nisë gara, Besa do të jetë pretendente numër 1 për kthimin në Superligë”, ka përfunduar Tafili.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"