Besa pa shënjestër, mbrojtësi Xhafa kritika ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2019 | 17:37

Besa pa shënjestër, mbrojtësi Xhafa kritika ekipit

Besa ka fituar ndaj Turbinës në sta diumin e Peqinit. Një fitore e domosdoshme për momentin që po kalonte, por që u vu në diskutim nga kavajasit.

erion xhafa

Verdhezinjtë shënuan që në startin e pjesës së dytë dhe më pas shpërdoruan edhe një 11- metërsh me Alket Çelhakën.

Humbja me Lushnjën, por edhe ndeshja e fundit me Turbinën e kanë lënë të pakënaqur qendërmbrojtësin Erjon Xhafa, i cili për “Panorama Sport” është shprehur: “Nuk na lejohet ta lëmë ndeshjen të hapur deri në fund. Nuk mund të luajmë me djersën tonë, siç ndodhi me Lushnjën dhe me Turbinën. Besa ka përvojë edhe në Superiore, ndaj nuk i falen të tilla gabime. Për një skuadër me pretendime është e pafalshme të shpërdorojë raste pa fund dhe ta vërë në diskutim rezultatin. Ndaj Turbinës dominuam në lojë e raste, shënuam të parët, rimorëm avantazhin shpejt dhe përveç rasteve të Carës dhe Onuh humbëm edhe një 11-metërsh. Askush nuk të fal nëse humb aq raste.

Vërtet nuk iu gëzova fitores, siç mund t’i gëzohesh një fitoreje normalisht. Kemi luajtur mirë në shumë ndeshje, që nga ajo në Orikum, por kemi shpërdoruar shumë. Të kesh 6 pikë pas atyre lojërave nuk më duket e drejtë. Kemi treguar se dimë të luajmë futboll, të krijojmë raste e të mbrohemi mirë. Nga përvoja di se kur nuk i ndëshkon kundërshtarët, ata marrin zemër dhe të kthejnë kusurin. Vërtet ishim pak të lodhur me Turbinën, sepse luajtëm 90 minuta të forta me Egnatian në Kupë, por kjo nuk i justifikon rastet e humbura.

Trajneri Magani me të drejtë na kërkon të jemi pragmatistë dhe t’i zgjidhim ndeshjet shpejt, pasi mundësitë i kemi. Me Elbasanin udhëhoqëm 2-0, patëm raste ideale për ta çuar rezultatin 5-0, por në fund u rrezikuan. Me Lushnjën udhëhoqëm pastër me lojë bindëse dhe për 5 minuta humbëm ndeshjen. E njëjta panoramë dhe me Turbinën, kur priteshin të tjerë gola nga ne, e vumë ndeshjen në diskutim në 5 minutat e fundit.

Besoj se duhet t’u japim fund këtyre situatave. Trajneri Magani ka thënë se duhet pak kohë dhe pajtohem me të, sepse është fakt që këta djem të rinj dinë të luajnë, të krijojnë raste dhe të dominojnë. Mungesa e përvojës, emocionet mund të ndikojnë, por mbetet detyra ime e Çelhakës, Zefit, Beqirit, Onuh e Carës të marrim fatin e ndeshjeve në dorë. Mua më gëzon fakti se prodhojmë futboll, por më hidhëron fakti që vëmë në diskutim fitoret”.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"