Besa pa presion, kapiteni Muçaj karikon skuadrën kavajase: Do të luajmë thjesht për të respektuar fanellën që kemi veshur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2021 | 11:11

Besa pa presion, kapiteni Muçaj karikon skuadrën kavajase: Do të luajmë thjesht për të respektuar fanellën që kemi veshur

Pas fitores në Pogradec, Besa sot mat forcat në Berat me Tomorin. Beratasit këtë sezon janë shndërruar në macen e zezë për kavajasit. Tomori është ekipi i vetëm që arriti të mundte Besën në Luz me rezultatin 2-0. Fakti që Tomori drejtohet nga një trajner kavajas, si Bledar Sinella, mund të ketë ndikim jo të vogël në njohjen e pikave të forta e të dobëta të Besës. Kujtojmë se Sinella ka qenë 2 herë edhe trajner i kavajasve.

mUCAJ BESA

Këtë mendim ka kapiteni Ledjon Muçaj, i cili për “Panorama Sport” u shpreh: “Të flasim hapur, kundërshtari ynë më i vështirë këtë sezon ka qenë Tomori. Fakti që beratasit drejtohen nga ish-trajneri ynë Sinella, që njeh shumicën e lojtarëve, mund të ketë pasur ndikimin e vet. Askush nuk na ka mundur në Kavajë përveç Tomorit. Nëse flasim drejt, Tomori këtë sezon është investuar si ekip, në lojtarë me vlerë duke merituar vendin që ka në renditje”. I pyetur se përtej këtij vlerësimi, me çfarë objektivi udhëton Besa sot në Berat, kapitenit Muçaj u përgjigj:

Tomori-Besa

“Ata që kanë luajtur futboll, por edhe futbollistët aktualë e dinë se, kur ekipi luan për qejf, atëherë loja i del më e mirë. Këtë e provuam në Pogradec, ku shënuam jo pak, por 3 gola. Ne udhëtojmë në Berat pa asnjë lloj presioni pikësh. Ashtu si në Pogradec, do të luajmë thjesht për të respektuar fanellën që kemi veshur. Pres një ndeshje të vështirë e të fortë dhe besoj se rezultati do varet më shumë nga gabimet e secilës palë, sesa nga loja që do të zhvillohet.

mUCAJ BESA 2

Ne kemi fat, pasi edhe nëse pësojmë gol të parët, nuk kemi arsye të goditemi psikologjikisht, por do të vijojmë të luajmë njësoj. Ne do të kërkojmë shanset tona në këtë sfidë. Do të luajmë me qetësi për të shfrytëzuar në maksimum shanset tona. Duhet të tregohemi pragmatistë pasi siç citova edhe më lart, Tomori është ekip që gjithashtu luan një futboll pragmatist”.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"