Besa nis merkaton nga prapavija me zyrtarizimet e para, Bizhdili: Për dy javë kompletohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2022 | 23:47

Besa nis merkaton nga prapavija me zyrtarizimet e para, Bizhdili: Për dy javë kompletohemi

Besa nis zyrtarisht merkaton. E hëna ka sjellë zyrtarizimet e para te kavajasit. Heshtjes i erdhi fundi dhe është vetë Nexhat Bizhdili që konfirmon afrimin e Shaqir Jugut dhe Jonis Nurjas. Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, edhe ka ndodhur. Presidenti ka preferuar ta nisë rindërtimin e grupit nga prapavija dhe konkretisht me krahët. Dy futbollistët e talentuar të Tiranës e Kukësit, që sezonin e fundit luajtën si të huazuar te Turbina dhe Butrinti, do të vishen verdhezi.

Bizhdili

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, numri një i klubit sqaron se nuk do ta lërë me kaq. Ai planifikon se në dy javët e ardhshme të ketë mbyllur marrëveshjet e tjera dhe ta ketë ekipin gati për Gugash Maganin. “Sikurse e dini gjithnjë kam afruar futbollistë të talentuar dhe me të ardhme, duke mos menduar vetëm për një sezon. Këtë politikë do të ndjek edhe sivjet, ndaj e nisëm merkaton me mbrojtësit Shaqir Jugu dhe Joni Nurja, por nuk do të mungojnë as futbollistët me përvojë. E nisa nga prapavija bërjen publike të kontratave, por brenda dy javëve të para të korrikut do të njiheni me të gjithë emrat që do të përbëjnë grupin. Natyrisht që gjithçka bëhet së bashku me stafin me në krye Gugash Maganin”, tha fillimisht presidenti.

GARA – Klubi ka punuar pa zhurmë gjithë këtë kohë. Kjo ka qenë strategjia e qartë e Bizhdilit, për të mos i prishur punë vetes. Duke qenë se po tenton të shtojë cilësinë në organikë, ka pasur “drojë” nga kundërshtarët. Për të mos prishur negociatat nga ndërhyrjet e të tjerëve, presidenti ka zgjedhur këtë strategji për këtë merkato. Ai e di që i pret një garë e fortë këtë sezon. Kategoria e Parë do të ketë emra të mëdhenj dhe ndaj po merr masat. “Duke qenë se pres një kampionat nga më të fortët e luajtur deri tani, kam preferuar futbollistë që të vrapojnë gjatë 90 minutave. Kërkohet energji, ritëm, dëshirë ego dhe ambicie për të dhënë secili maksimumin”, ka përfunduar i pari i klubit kavajas.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"