Besa në vendnumëro, sot testi me Besëlidhjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2019 | 12:22

Besa në vendnumëro, sot testi me Besëlidhjen

Besa ka ngelur në vendnumëro sa i takon merkatos verore. Që pas afrimit të tre lojtarëve të rinj, Shaqe, Hoxha dhe Shimaj, si dhe fjalëve për ngjitjen e mundshme direkte në Superiore, nuk ka pasur më asnjë lëvizje.

Besa Kavaje

Justifikimi i presidencës së ekipit kavajas lidhet me fatet e Besës, nëse do të futet në Superiore direkt, do të luajë ndeshje shtesë me Dinamon, apo do të qëndrojë në Kategorinë e Parë. Nga lojtarët e rinj, në miqësoren me Bylisin bindi qendërmbrojtësi Egzon Shimaj, djaloshi shkodran që është grumbulluar nga Kombëtarja U-19. Për sot është në program miqësorja e dytë e përgatitjeve verore, ku kundërshtare do të jetë Besëlidhja, një skuadër pretendonte në Grupin A të Kategorisë së Parë.

Për të shtunën është planifikuar miqësorja e tretë, ku përballë verdhezinjve do të jetë Lushnja, një rivale në Grupin B. Ndeshja e sotme me Besëlidhjen starton në orën 18:00 dhe do të zhvillohet në stadiumin e Kavajës. Janë këto miqësore që ndihmojnë trajnerin Gugash Magani për të parë në çfarë gjendjeje është skuadra dhe se çfarë i duhet të bëjë për të kompletuar grupin, me të cilin do të përballojë sezonin e ardhshëm.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"