Besa në prag revolucioni, Nexhat Bizhdili drejt rikthimit. Bledar Sinella më afër stolit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2017 | 17:51

Besa në prag revolucioni, Nexhat Bizhdili drejt rikthimit. Bledar Sinella më afër stolit

Besa është në prag të një revolucioni. Pas ndryshimit të kryebashkiakut ku tashmë Bashkia do t’i përkasë Partisë Demokratike dhe përfaqësuesit të saj, pritet që në klub të ketë shumë ndryshime.

Bizhdili

Së fundmi, po shtohen gjithmonë e më shumë zërat për një rikthim të mundshëm të ish-presidentit Nexhat Bizhdili, i larguar rreth katër vite më parë. Gjatë kësaj periudhe, skuadra vetëm ka qenë pjesëmarrëse në kampionatin e Kategorisë së Parë duke mos pasur asnjë synim për ngjitjen. Për më tepër që në dy raste rrezikoi seriozisht rënien në Kategorinë e Dytë.

RINGRITJA

Aktualisht, çështja që kërkon zgjidhjen më të shpejtë është emri i trajnerit të ri. Së fundmi janë lakuar shumë emra. Së fundmi, gjithçka po shkon drejt zgjidhjes. Burime pranë ish-presidentit Bizhdili kanë bërë të ditur se i është bërë ofertë trajnerit kavajas Bledar Sinella.

sinella

Ky i fundit njihet për disiplinën e fortë dhe punën profesionale. Kujtojmë se për disa vite Sinella ka punuar si ndihmës i trajnerit të Kombëtares U-17, Xhemal Mustedanagiç. Sinella, pas dorëheqjes nga Laçi, ka refuzuar disa oferta gjatë janarit deri në maj. Pritet tashmë vetëm përgjigjja e teknikut kavajas nëse do të pranojë të drejtojë ekipin e vendlindjes ose jo.

Të njëjta burime bëjnë të ditur se në prapaskenë kanë nisur bisedat me futbollistë të ndryshëm cilësorë për t’i bindur që të bëhen pjesë e skuadrës. Mësohet se objektivi është rikthimi i Besës në Superiore ku mungon prej katër sezonesh. Mësohet se ekipi do të grumbullohet në fund të korrikut për të nisur përgatitjet.

Në këto vitet e fundit, Besa është lënë krejtësisht në harresë. Nga një prej ekipeve që pretendonte titullin, madje fitonte edhe Kupën e Shqipërisë, u shndërrua në një skuadër inferiore.

Në klub mungonte strategjia për rikthimin e skuadrës në elitë, në një kohë tifozët u larguan. Dhe në dy vitet e fundit, numri i tifozëve në ndeshje të Besës nuk i kalonte 100. Tashmë, sportdashësit janë me sytë nga klubi dhe zhvillimet që pritet të ndodhin. Të gjithë shpresojnë në një rikthim të fuqishëm të ekipit në Superiore.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"