Besa ndryshoi strategji në merkato, presidenti Bizhdili: Nuk vrapova pas… CV-ve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2022 | 23:55

Besa ndryshoi strategji në merkato, presidenti Bizhdili: Nuk vrapova pas… CV-ve

Nexhat Bizhdili beson se ky do jetë viti i Besës. E ka të qartë se gara është vështirësuar shumë me emra si Dinamo, Skënderbeu e Flamurtari. E megjithatë, paralajmëron se kavajasit do të jenë pretendentë deri në finish. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport” ai shpjegon se në këtë merkato nuk vrapoi pas CV-ve dhe kjo strategji do japë rezultat.

Bizhdili-2

“Ndryshe nga vitet e shkuara, nuk preferova të vrapoj pas CV-ve. Afrova futbollist që kanë uri për të luajtur e që Besën e shohin si një shans të artë për karrierën e tyre. I kam ndjekur në fazën përgatitore, por dhe në miqësoret e shumta që ekipi ka zhvilluar.

Kam parë dëshirë, grintë, luftë dhe kjo më ka bërë të kem besim, se sivjet do jetë vërtet një Besë konkurrente deri në fund. Do të jetë kampionati, për mua le ta quajmë Superiorja B, pasi ekipe si Dinamo, Skënderbeu, Flamurtari, Besa, Lushnja, Apolonia kanë marrë trofe në Superiore, pa lënë pas dore Tomorin, Besëlidhjen, Burrelin apo dhe Luzin që kërkon të surprizojë. Do të jetë një garë e fortë, e bukur, që nisur nga formula do të bëjë të ketë futboll të vërtetë deri në javën e fundit të kampionatit”, u shpreh fillimisht numri një i klubit.

PREMIERA

Verdhezinjtë nesër udhëtojnë drejt Peqinit, atje ku do të presin Tomorin për javën e parë. Synohet me patjetër një fitore, por Bizhdilin e di fare mirë që premierat janë të paparashikuara.

“Së pari, më vjen keq që edhe këtë vit do të jemi të detyruar të luajmë jashtë Kavajës. Është folur aq shumë për stadiumin sa që gjykoj se është e tepërt të apeloj çdo orë e çdo ditë.

Duke u kthyer te Tomori, ashtu si çdo ekip edhe ata kanë kryer merkaton e tyre dhe kanë objektivat e tyre. Do të jetë një ndeshje, gjykoj unë, ku të dyja ekipet do të kenë kujdes të mos humbin dhe do të jetë e vështirë për të dyja. Natyrisht që ne luajmë në fushën tonë dhe do luftojmë fort për ta nisur mbarë.

Por, siç citova më lart, përballjet e para janë gjithnjë delikate dhe të paparashikuara. Me këtë rast u uroj të gjithë kolegëve, stafeve, futbollistëve, një garë të ndershme, të fortë e ku mijëra tifozë të kenë mundësi të argëtohen e kënaqen ato 2 orë nëpër stadiume”, e mbylli presidenti i kavajasve Bizhdili.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"