Besa mund Vorën në miqësore, e nderon goli i Veriut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2022 | 13:29

Besa mund Vorën në miqësore, e nderon goli i Veriut

Nuk ka pushim për skuadrat, ndonëse gara është ndalur. Besa dhe Vora janë takuar dje, për të luajtur të parën miqësore. Në stadiumin e ri të vorakëve, ishin miqtë që fituan.

122

Mjaftoi ai gol i Redi Veriut në të 23-ën minutë, për të vendosur gjithçka. Edhe pse thjesht një test, pati ritëm dhe raste. Kavajasit kanë krijuar volum të madh, e megjithatë mendoi Jata që t’u thotë “jo” golave të Osmës dhe Veriut. Më pas erdhi radha e vendësve, me Xhemalajn që dirigjon mesfushën dhe jep dy asiste për Raboshtën e Maganin. Por këtë herë është Hudson, që i neutralizon. Në minutën e 23-të kemi momentin më të bukur të ndeshjes, ku Raza kombinon me Veriun dhe ky i fundit nuk fal, teksa ka shënuar golin e vetëm të takimit. Minutat e mëtejshme të pjesës së parë sjellin dy raste për Vorën, por që nuk konkretizohen.

Fraksioni i dytë u përket të rinjve që marrin minutazhin e nevojshëm nga ana e trajnerëve të tyre. Përpjekjet e të dyja skuadrave janë të shumta, ka gjallëri dhe krijohen raste, por rrjetat nuk preken më. Kështu, miqësorja mes këtyre dy skuadrave fitohet nga miqtë që janë të shoqëruar edhe nga presidenti i tyre, Nexhat Bizhdili. Ndërkohë që skuadra e Vorës për një muaj do të qëndrojë e ngujuar në hotel me dy seanca stërvitore në ditë. Madje, ajo do të zhvillojë miqësoren e ardhshme me Dinamon të mërkurën më 30 nëntor 2022, në orën 13:00 në stadiumin e Vorës. Nga ana tjetër, skuadra e Besës miqësoren e ardhshme do ta zhvillojë kundër Tiranës këtë fundjavë.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"