Besa mori Birjen për portën, Dobjani: Më motivon afrimi i tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2021 | 20:30

Besa mori Birjen për portën, Dobjani: Më motivon afrimi i tij

Besa është e qetë për portën. Veç Ilir Dobjanit, pak ditë më parë morën Kadri Birjen. Pritet që “lufta” mes dy portierëve të jetë e fortë, e megjithatë lojtarët e mirëpresin. Këtë e thotë edhe Dobjani, që e cilëson konkurrencën të rëndësishme.

Besa-Lushnja

“Mund të jesh portier titullar, por nëse nuk ndien konkurrencën e kolegut pranë, besoj se kalon në njëfarë vetëbesimi të tepruar. Vetëm duke ditur se gabimi më i vogël të kushton, motivohesh dyfish për të merituar formacionin. Ndaj, e mirëprita afrimin e Birjes, pasi edhe ai ka shumë përvojë dhe kemi çfarë të fitojmë nga njëri-tjetri.

Mua më motivon edhe më shumë për të punuar fort për ta merituar formacionin. Tani me mua dhe Birjen, porta është e garantuar. Kundërshtarët nuk do ta kenë të lehtë të na mposhtin kollaj”, tha 20-vjeçari. Ndryshe nga më parë, këtë sezon në formacion priten vetëm 3 kavajas: portieri Dobjani, mbrojtësi Perja dhe sulmuesi Hoxha.

Ky fakt nuk mbetet pa u komentuar edhe nga gardiani, që krenohet se Besa çdo vit prodhon futbollistë cilësorë.

“Mendoni çfarë cilësie do kishte ekipi nëse në formacionin tonë do të ishin Kacbufi, Lushkja, Deliu, Krasniqi, Cara apo edhe kolegët e mi Dajsinani e Puja.

Jam krenar që Besa nxjerr çdo vit talente. Ndihem po kaq mirë që ish-shokët e ekipit tim sot shkëlqejnë në Superiore. Qoftë edhe për këtë arsye, Besa e meriton të jetë në Kategorinë Superiore, pasi gjithmonë ka pasur e do ketë futbollistët ‘Made In Kavaja’ e nuk ka nevojë të ndërtojë ekip vetëm me lojtarë jabanxhinj.

Ky fakt përbën një shtysë të fortë që t’i japim fund qëndrimit në Kategorinë e Parë, që unë, Kacbufi, Mecja e të tjerë futbollistë të rinj të luajmë për ngjyrat verdhezi në elitë.

Besoj se ky kampionat që nis më 11 shtator do të jetë kampionati i Besës. Jemi investuar si kurrë më parë në kualitete me përvojë nga presidenti Bizhdili dhe nuk ka asnjë arsye që të mos kthehemi në Superiore”, përfundon Dobjani.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"