Besa, më 15 korrik në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2014 | 9:22

Besa, më 15 korrik në fushë

Besa-Kukesi  0-1Nisur nga objektivat që Besa ka çdo sezon, veçanërisht tashmë që ndodhet në Kategorinë e Parë, faza përgatitore do të startojë në të njëjtën kohë me ekipet e Superiores, pikërisht më 15 korrik. Kujtojmë këtu se kampionati i së Parës starton dy javë pas atij të Superiores më 13 shtator, megjithatë krerët verdhezi kërkojnë që të krijojnë një grup pretendent. Dihet se Besa në fakt ekziston vetëm në letër dhe gjithçka do të nisë nga zero. Strategjia për afrimin e të rinjve të talentuar, si dhe objektivi madhor për ta kthyer sërish Besën në Superiore, aty ku ka milituar me dekada të tëra ka bërë që Bizhdili dhe stafi teknik me në krye Artan Mërgjyshin të nisin punën shumë më herët se rivalët e tyre të Kategorisë së Parë.
Përgatitorja – Mesi i muajit korrik është caktuar tashmë si fillimi i fazës përgatitore të verdhezinjve. Plot dy muaj përpara startit të kampionatit më 13 shator, duket se stafi teknik do të kalojë disa faza seleksionimi derisa të konturohet grupi dhe më pas të startojë ajo që quhet faza përgatitore për afro dy javë apo dhe deri më 21 ditë. Stafi teknik, me në krye trajnerin Mërgjyshin dhe Bubeqin, për mbi dy javë do të kalojnë në sitë të gjithë kontingjentin me të rinj që pritet të afrohet te Besa. Vetëm pasi të jenë përcaktuar 25 futbollistët që zyrtarisht do të jenë pjesë e kavajasve edicionin e ardhshëm, vetëm atëherë do të startojë faza përgatitore, e cila sipas burimeve mund të zhvillohet jashtë Shqipërisë. Një gjë të tillë e “zbuloi” trajneri Artan Mërgjyshi përpara nisjes me pushime për në Greqi.
FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"