Besa me mungesa, Bubeqi me ‘dhimbje koke’ : Presim gjykim korrekt në Pukë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2021 | 10:34

Besa me mungesa, Bubeqi me ‘dhimbje koke’ : Presim gjykim korrekt në Pukë

Kavajasit vijojnë të diskutojnë jo vetëm për fitoren minimale ndaj Maliqit, por mbi të gjitha për mohimin e 2 penalltive nga gjyqtari i ndeshjes. Flagrante ishte ndërhyrja ndaj Cankës drejt fundit të takimit, që sigurisht solli mjaft irritim te stafi dhe tifozët.

bubeqi besa

E ndërsa diskutimet dhe pakënaqësitë vazhdojnë, Besa ka udhëtuar gjatë pasdites së djeshme drejt Pukës, ku do të ndeshet sot me Tërbunin. Ngjeshja e kalendarit nuk lë vend për diskutimet e së shkuarës, pasi kërkohet përqendrim dhe vazhdimësi në sfidën e radhës. Duket se më i painteresuari për debatet mbetet trajneri Dorjan Bubeqi, i cili sot përballë Tërbunit duhet t’i bëjë mirë “hesapet”, pasi Besa udhëton me 2 mungesa, shto këtu edhe dy të dëmtuarit Meçja e Hoxha.

Të dy futbollistët, edhe pse kanë udhëtuar me ekipin, nuk dihet nëse do jenë në gjendje të luajnë. Hyseni mungon pasi u ndëshkua me karton të kuq ndaj Maliqit, ndërsa Dajçi i sëmurë mungoi edhe ndaj maliqarëve. Ndërkohë që Meçja e Hoxha udhëtuan, por të dëmtuar, gjë që solli daljen nga fusha ndaj Maliqit, që do të thotë se Bubeqi do të ketë në sulm vetëm Cankën.

I pyetur në prag të transfertës së Pukës, Dorjan Bubeqi u shpreh: “Ky është futbolli dhe ky është fati. Na duhet të luajmë 3 ndeshje në 7 ditë. Sikurse e patë, ndaj Maliqit nxora nga fusha Meçjen dhe Hoxhën që u dëmtuan, ndërsa Hyseni vuan kartonin e kuq. Dajçi ende vijon të mungojë për arsye shëndetësore. Duke ditur limitin, i kërkova Hoxhës dhe Meçjes të udhëtonin me ekipin dhe vetëm disa minuta përpara takimit do të merret vesh saktë se sa minuta e mundësi kanë të luajnë.

besa fm

Pra, fillimisht më duhet të shoh me çfarë formacioni do të luaj e pastaj të mendoj për mënyrën se si do të luajmë. Tërbuni mbetet ‘kockë’ e fortë, sidomos në shtëpi, ndaj parashikoj një përballje mjaft të vështirë. Nuk është hera e parë që kemi luajtur në Pukë dhe e respektojmë forcën e tyre. Nisur nga ajo çfarë na ndodhi me Maliqin, pres dhe kërkoj një gjykim të ndershëm e korrekt. Pastaj fusha të japë verdiktin real të secilit ekip. Sa për objektivin, ju e dini se çdo ekip në fushë futet me dëshirë e synim maksimumin”.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"