Besa me dilemën e Superiores dhe Kategorisë së Parë, Miraka: Elita do t’i motivonte të rinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2019 | 23:20

Besa me dilemën e Superiores dhe Kategorisë së Parë, Miraka: Elita do t’i motivonte të rinjtë

Besa ndodhet në një situatë ku pret nga dita në ditë verdiktin final mbi të ardhmen e saj: në Superiore apo në Kategorinë e Parë. Kjo ka bërë që edhe merkatoja e kavajasve të stopojë, sepse varet nga kategoria ku ata do të luajnë. Deri më sot, krahas Shaqes, Hoxhës dhe Shimajt, janë afruar edhe 3 lojtarë të rinj, por ata janë në provë. “

besa1

Babai” i grupit aktual të Besës është portieri Festim Miraka, i cili luan sezonin e dytë me verdhezinjtë dhe e sheh kthimin në Superiore si motivim të shumëfishtë për të gjithë të rinjtë. “Pa diskutim që kthimi në Superligë do të ishte pozitiv, sepse kjo kategori është një vitrinë për lojtarët e talentuar, të cilët nuk kanë gjetur askund mbështetje si te Besa. Ekipi ynë e ka dëshmuar vit pas viti se është ndër të paktët në Shqipëri që beson dhe i motivon të rinjtë. Kthimi në Superiore do t’u jepte atyre motivim të shumëfishtë për t’u rritur nga ana profesionale. Në bisedat me presidentin Bizhdili kam mësuar se merkatoja mbahet “peng” nga verdikti i FSHF-së.

Nëse do të garojmë në Kategorinë e Parë, ka kohë dhe nuk ka arsye të shpenzohen miliona për merkaton. Në të kundërt, jemi të detyruar të afrojmë disa lojtarë me përvojë. Këto ditë kam konstatuar një frymë pozitive, një frymë besimi te të rinjtë. Dhe kjo më gëzon e më bën të mendoj se pas datës 31 gusht gjërat do të shkojnë në vendin e vet”, ka theksuar portieri Miraka. Besa është një nga skuadrat që mund të përfitojë për të luajtur direkt në elitën e futbollit shqiptar nëse FSHF-ja vendos të përjashtojë Skënderbeun dhe Luftëtarin. Por nuk ka ende një vendim zyrtar dhe deri atëherë kavajasit do të jenë në ankth.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"