Besa kthehet në fushë, i jep fund bojkotit. Futbollistët marrin nga një rrogë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 15, 2020 | 21:31


Besa kthehet në fushë, i jep fund bojkotit. Futbollistët marrin nga një rrogë

Futbollistët e Besës i kanë dhënë fund bojkotit të stërvitjes, që ka zgjatur vetëm 24 orë. Ata i janë drejtuar dje sërish fushës stërvitore, duke u vënë nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani. Besa nuk u stërvit ditën e enjte për shkak të pagave të padhëna për futbollistët gjatë muajve të fundit, duke nisur që nga tetori i vitit të fundit. 

Devolli-Besa

Menjëherë pas bojkotit reagoi presidenti i skuadrës, Nexhat Bizhdili, i cili për “Panorama Sport” pranoi se lojtarët kishin të drejtë në pretendimet e tyre dhe premtoi dhënien e një page mujore. Dhe kështu ka ndodhur dje, teksa para se të fillonin stërvitjen, futbollistët kanë marrë një rrogë. Për pagat e tjera që nuk janë likuiduar, presidenti Bizhdili ka thënë se çështja do të zgjidhet brenda këtij muaji. Besa ka përpara dy ndeshje shumë të rëndësishme, ato me Apoloninë dhe Pogradecin, dy rivalë në garën për Superioren, ndaj dhe skuadra duhej të ishte sa më e qetë, megjithatë ndodhi ajo që ndodhi dhe situata të premten është normalizuar.

KRALI-BIZHDILI – Futbollistët, pas stërvitjes që kanë zhvilluar nën reshjet e shiut që nuk pushoi, kanë parë kryebashkiakun e Kavajës, Redjan Krali, t’i priste në korridor. Bashkë me presidentin Nexhat Bizhdili ata janë futur në dhomën e analizave dhe kanë biseduar për disa minuta mes tyre. Burime brenda kësaj mbledhjeje kanë bërë të ditur për gazetën se kryebashkiaku Krali, pasi ka shprehur solidaritet të plotë me futbollistët, i ka garantuar ata se institucioni që ai drejton do të likuidojë detyrimet e saj çdo muaj rregullisht. Po ashtu, Krali ka folur edhe për investimet në infrastrukturë, duke dhënë shpresë se Besa do të kthehet shpejt në fushën e saj. Nga ana e tij, presidenti Bizhdili ka përsëritur atë që tha për “Panorama Sport” në numrin e djeshëm, pra që në fund të muajit shkurt do të bëhet shlyerja e pagave të tjera. Dy drejtuesit e lartë të kavajasve, Krali dhe Bizhdili, i kanë kërkuar stafit teknik dhe futbollistëve që të fitojnë dy ndeshjet e radhës për të mbetur në korsinë e pretendimeve madhore për kthimin në Superiore.

FERIZ FERIZAJ




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com