Besa kërkon kthesën ndaj Pogradecit, Mërgjyshi: Bëjmë autokritikën, dua sulm më cinik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2021 | 10:45

Besa kërkon kthesën ndaj Pogradecit, Mërgjyshi: Bëjmë autokritikën, dua sulm më cinik

Besa kërkon kthesën. Pas barazimit me Lushnjën në nisje të 2021-shit, në Pogradec shkojnë vetëm për fitoren. Skuadra është më shumë se i mobilizuar para këtij 90-minutëshi dhe sot në “Gjorgji Kyçyku” do të luajë për të evituar shkëputjen me kreun. Këtë e pohon edhe Artan Mërgjyshi gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport” 24 orë para javës së 11-të.

Mergjyshi Besa

Trajneri pret që të mos përsëriten gabimet e ndeshjes së fundit dhe rrjedhimisht do ekip më cinik në fushë. Skuadra është nisur që dje drejt Pogradecit dhe ndihet më shumë se gati për ta kaluar këtë kundërshtar, ndonëse vetë tekniku e cilëson si të vështirë. “Pavarësisht objektivit tonë, Pogradeci dhe çdo rival i grupit mbetet i vështirë dhe sidomos kur luajnë në shtëpi. Ndryshe nga ne, ata kanë terrenin në favor. E njohin mirë, si edhe kanë një grup që duhet vlerësuar”, kështu u shpreh fillimisht 52-vjeçari.

SITUATA – Pyetjes se me çfarë objektivi udhëton kjo Besë drejt Pogradecit, trajneri i përgjigjet me kujdes: “E thashë dhe më lart, që jemi të ndërgjegjshëm se na pret një përballje e vështirë. Besa gëzon një gjendje shumë më të mirë se para janarit. Jemi plotësuar me dy prurje cilësore. Kemi dëshmuar formë të mirë të grupit dhe mbi të gjitha kemi bërë lojëra bindëse, por mbetet për t’u korrigjuar finalizimi”.

FINALIZIMI – Ai shpjegon se kanë punuar ndjeshëm me shënjestrën dhe sot pret reagimin e lojtarëve. “Për këtë kemi punuar shumë. Mund të luash shumë mirë, madje të dominosh edhe 45 minuta, sikurse bëmë përballë Lushnjës, por kjo nuk mjafton nëse nuk i konkretizon rastet. Unë nuk jam nga ata që pranoj një lojë të keqe për fitoren, jo. Unë besoj se nëse grupi prodhon lojë e futboll, atëherë do kesh sukses, pavarësisht se ndeshja nuk i ngjan tjetrës. Për nesër (sot) i kam kërkuar ekipit të ruajë qetësinë e të ketë besim deri në minutën e fundit. Të tregohemi cinikë përpara portës, pasi nuk mund të krijosh dhjetë raste shënimi. Ndonjëherë mjaftojnë edhe dy, por duhet që t’i çosh atje ku duhet. Kam besim se skuadra do të më tregojë se Lushnja ishte thjesht një rastësi dhe jo një ditë jona”, përfundoi Mërgjyshi.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"