Besa godet në merkato, afron edhe ish-futbollistin e Vllaznisë dhe Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2020 | 18:57

Besa godet në merkato, afron edhe ish-futbollistin e Vllaznisë dhe Partizanit

Merkatoja verore ka hyrë tashmë në “pikun” e saj dhe Besa pasditen e djeshme ka arritur të sigurojë shërbimet e një futbollisti me shumë përvojë, shkodranit Alsid Tafili. Objektivi për kthimin në Superiore kërkon lojtarë me përvojë dhe presidenti Nexhat Bizhdili atë po bën gjatë kësaj periudhe.

Alsid-Tafili-1

Është bërë traditë tashmë që kavajasit të kenë në gjirin e tyre vazhdimisht futbollistë shkodranë, ku i radhës është pikërisht Alsid Tafili. Në dy dekadat e fundit kanë luajtur në Kavajë lojtarë të njohur si Ervis Kraja, Amarildo Belisha dhe Vioresin Sinani. Aktualisht është pjesë e skuadrës verdhezi mbrojtësi Egzon Shimaj, ndërsa vjet ishte edhe mesfushori Uheid Hoxha, tashmë i kthyer te Vllaznia.

vllaznia tafili

Tafili ka luajtur në kampionatin kosovar së fundmi, kurse në kampionatin tonë ai ka veshur fanellat e Vllaznisë, Elbasanit, Teutës dhe Partizanit në Superiore. Mesfushori me përvojë do t’i bashkohet sot skuadrës në stërvitje dhe do të jetë një element shumë i rëndësishëm për trajnerin Ndriçim Kashami.

Ai konsiderohet një nga pikat kyçe të kavajasve për sezonin e ardhshëm. Më parë kavajasit kanë afruar disa lojtarë të tjerë të rëndësishëm për sezonin e ardhshëm, siç janë sulmuesi brazilian Kaina, sulmuesi tjetër Jurgen Peqini, Moqi dhe Koleci të ardhur nga Besëlidhja, si dhe portieri Klajdi Kuka që vjen nga Dinamo. Natyrisht, priten edhe përforcime të tjera, pasi merkatoja mbetet e hapur.

Nga ana tjetër, nga grupi i sezonit të shkuar ka pasur shumë largime dhe trajneri Kashami po bën një punë të madhe për të pasur një Besë sa më solide dhe kompetitive. Kavajasit kanë luajtur deri tani dy ndeshje miqësore, me Erzenin dhe me Besën, ku kanë barazuar me rezultatin 1-1.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"